“Romanet e mia janë fokusuar te fantazia” – Njihuni me 16-vjeçaren që ka shkruar tri romane

Kulturë | 2 vite më parë

Aleksandra Pano është një autore e re, vetëm 16 vjeçe. Por rinia e saj është vetëm në moshë, sepse nxënësja e shkollës “Sami Frashëri” ka publikuar tre libra kaq e re.

E rritur në një familje artistësh ajo ka kultivuar talentin për të sjellë botën fëmijërore të skalitur në romanet e saj.

Librin “Të humbur në detin e pemëve” e ka publikuar vetëm pak muaj më parë. Që në moshën 10-vjeçare ajo shkroi romanin “Lili dhe varësja e sirenës” dhe në moshën 12-vjeçare, “Fantazma në bulevard”.

“Unë përpiqem t’i bëj gjërat ‘si të më vijnë’. Në fillim bëj gjërat më të rëndësishme, siç janë detyrat e shkollës. Idetë janë gjithnjë aty. Thjesht duhet gjetur koha,” tregoi Aleksandra për emisionin “Jetë shqiptare” në RTSH.

Frymëzimin për të shkruar ajo e gjen nga e vërteta, jo vetëm trilli.

“Edhe për fantazinë duhet të marrësh nismë nga realiteti. Për librin tim të tretë frymëzim ishte pylli japonez ‘Aokigahara’, që njihet edhe si deti i pemëve,” tregon autorja e re.

16-vjeçarja e kalon kohën e saj të lirë me shoqërinë, teknologjinë, por sidomos duke lexuar: në bibliotekën e saj mendore janë shtuar plot 250 libra. 

Aleksandra Pano ka qenë pjesë e aktiviteteve dhe olimpiadave të ndryshme të shkollave, duke fituar edhe çmime të ndryshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme