Rrëfimi i Komandantit Adem Shehu: Si iu bashkua UÇK-së dhe luftimet vendimtare

Adem Shehu, Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka ndarë në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, historinë e vendimit të tij për t’iu bashkuar UÇK-së, duke sjellë në dritë vështirësitë e udhëtimit dhe momentet kyçe të luftës.
Shehu tregoi se nisja për në Kosovë u bë në mënyrë emergjente dhe se udhëtimi ishte jashtëzakonisht i vështirë, pasi duhej të kalonin në terren të minuar. Ai shprehu mirënjohjen e tij për ata që i prinë gjatë këtij udhëtimi, duke theksuar se i gjithë stafi mungonte në eksperiencë në atë kohë.
Komandanti Shehu zbuloi se në radhët e tyre kishte 11 oficerë aktivë në detyra drejtuese të UÇK-së, si dhe mbi 187 vullnetarë nga pjesa jugore, Shqipëria e mesme dhe veriore e Shqipërisë. Prezantimi i parë, sipas tij, u bë me Agron Rrahmanin dhe Ibrahim Rugovën në vitin 1997. “Mund të jenë mbi 500-600 vullnetarë që kemi trajnuar. Unë vendosa të hyj në Kosovë,” tha Shehu.
Adem Shehu foli edhe për disa nga luftimet më të rëndësishme dhe më të vështira që janë bërë. Ai përmendi luftimet e Lovkovcit, ku forcat e brigadës së motorizuar ishin shumë të forta. Komandanti shprehu mirënjohje të thellë për popullin e Kosovës, i cili vuri në dispozicion të gjitha resurset, si dhe për familjet e ushtarëve.
Ai veçoi si luftimet më të vështira ato të datave 17, 18, 19 dhe 20. Në datën 18, ata arritën të eleminojnë pararojën e armikut dhe ishin në pritje të goditjeve të fuqishme. Tre ditë më pas, futën në përdorim edhe tanket. Gjatë këtyre luftimeve, rreth 17 djem u dëmtuan dhe 11 u plagosën. “Momenti më i rëndë ishte data 20,” përfundoi rrëfimin e tij Komandant Shehu, duke lënë të kuptohet për intensitetin dhe sakrificat e asaj periudhe.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




