Rreziqet mjedisore dhe shëndetësore nga sulmet e Izraelit në programin bërthamor të Iranit

Lindja e Mesme | 1 vit më parë

Me intensifikimin e sulmeve të Izraelit ndaj programit bërthamor të Iranit dhe lënien të kuptohet nga Presidenti, Donald Trump se SHBA-të mund t’i bashkohen kësaj përpjekjeje, shfaqen pyetje lidhur me rrezikun nga rrezatimi dhe kërcënimet e tjera shëndetësore. Çfarë dimë aktualisht për këtë situatë?

Nivelet e rrezatimit mbeten normale pas sulmeve

Irani pasuron uraniumin në dy vende kyçe: Natanz dhe Fordo. Ndërsa udhëheqësit iranianë theksojnë se programi i tyre bërthamor ka qëllime paqësore për shfrytëzimin e energjisë atomike, uraniumi i pasuruar shumë – i cili është radioaktiv – përdoret në prodhimin e armëve bërthamore.

Izraeli është i vendosur të parandalojë Iranin të posedojë armë të tilla.

Në Natanz, rreth 220 kilometra në juglindje të Teheranit, uraniumi ishte pasuruar deri në 60% pastërti – një nivel paksa radioaktiv dhe shumë afër gradës së armëve. Ky nivel u arrit para se Izraeli të shkatërronte pjesën mbitokësore të objektit, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së.

Një pjesë tjetër e impiantit të Natanzit ndodhet nën tokë, ku gjendet shumica e centrifugave, të cilat mbrohen nga sulmet ajrore. IAEA raportoi se beson që shumica, nëse jo të gjitha, e këtyre centrifugave u shkatërruan nga një sulm izraelit që ndërpreu energjinë elektrike në vend. Ekspertët theksuan se këto centrifuga kishin pasuruar deri në 5% pastërti.

Rafael Grossi, kreu i IAEA-s, deklaroi gjatë një seance urgjente të bordit të IAEA-s më 16 qershor se ndërsa kontaminimi radiologjik dhe kimik është i mundur brenda Natanzit, nivelet e rrezatimit jashtë kompleksit mbeten normale.

Vendndodhja e pasurimit bërthamor në Fordo është varrosur thellë poshtë një mali, rreth 100 kilometra në jugperëndim të Teheranit dhe është afër qytetit të shenjtë shiit të Komit. Irani prodhon atje pjesën më të madhe të materialit të tij pothuajse të përshtatshëm për armë, duke e bërë atë një objektiv me vlerë të lartë për Izraelitët. Megjithatë, vendndodhja e tij thellë nën tokë e bën të vështirë sulmin, prandaj SHBA-të po shqyrtojnë vendosjen e bombave të fuqishme “shkatërruese të bunkerëve” për të shkatërruar Fordon. Ekspertët parashikojnë se çdo ndikim i mundshëm rrezatimi nga një sulm në Fordo do të jetë i ngjashëm me atë në Natanz: pak rrezatim në nivele të menaxhueshme me pajisje mbrojtëse dhe disa rreziqe kimike në vend.

Javën e kaluar, Izraeli goditi katër ndërtesa në centralin bërthamor të Isfahanit, përfshirë një impiant për konvertimin e uraniumit. IAEA theksoi se nuk ka pasur shenja të rritjes së rrezatimit në Isfahan, i cili ndodhet afërsisht 350 kilometra në juglindje të Teheranit.

Rreziku nga uraniumi është minimal, fluori mund të jetë kërcënim

Edhe nëse rrezatimi do të rrjedhte nga Natanz ose Fordo, ekspertët theksojnë se sasia nuk ka gjasa të paraqesë rrezik për njerëzit pranë objekteve ose në rajonin më të gjerë. David Albright, fizikant dhe ekspert i armëve bërthamore, themelues i Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare, shprehet se “shumë pak uranium do të çlirohet në këto lloj sulmesh”.

Albright shpjegon se uraniumi në vetvete nuk është veçanërisht toksik dhe është i zakonshëm në disa pjesë të mjedisit. Një person që qëndron pranë një impianti pasurimi me një rrjedhje ndoshta nuk do të ekspozohej ndaj më shumë rrezatimit sesa dikush që ka ndërmarrë disa fluturime transatlantike, ku dozat e rrezatimit janë më të mëdha në lartësi të mëdha. Për t’u sëmurë, dikush do të duhej të gëlltiste sasi të mëdha uraniumi, duke pasur parasysh se elementi mund të gjendet natyrshëm në ujin e detit dhe në koren e tokës.

Në vend të rrezatimit, ekspertët paralajmërojnë se rreziku më i madh nga çdo sulm ndaj vendeve të pasurimit bërthamor mund të vijë nga gazi i fluorit. Fluori përzihet me një formë të koncentruar të uraniumit për të krijuar heksafluorurin e uraniumit, i cili më pas futet në centrifuga. Fluori është jashtëzakonisht i paqëndrueshëm, gërryen shpejt dhe mund të djegë lëkurën; është veçanërisht vdekjeprurës nëse thithet.

Fabian Hinz nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve Strategjike thekson se një shqetësim shumë më i madh për publikun do të ishte nëse Izraeli do të sulmonte centralin e vetëm bërthamor të Iranit, termocentralin e Bushehrit, i cili ndodhet 750 kilometra në jug të Teheranit. Në një central bërthamor, bërthama e reaktorit dhe karburanti bërthamor i shpenzuar janë përbërësit më radioaktivë, disa prej të cilëve mbeten të rrezikshëm për mijëra vjet. Megjithatë, Hinz shprehet se “duket shumë e pamundur që izraelitët të sulmojnë” Bushehrin, pasi nuk konsiderohet pjesë e programit bërthamor iranian që synon zhvillimin e armëve. AP

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme