Rrëzohet aeroplani çarter në Alaskë, humbin jetën 8 persona

Një aeroplan çarter është rrëzuar në Alaskën perëndimore, duke shkaktuar vdekjen e të tetë personave që ndodheshin në bord. Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), avioni, një Cessna 441, u nis nga Anchorage dhe kishte destinacion Cape Newenham, rreth 450 milje në jugperëndim. Përplasja ndodhi pranë destinacionit rreth orës 12:15 të së enjtes, sipas të dhënave paraprake.
Në bord ndodheshin dy pilotë dhe gjashtë pasagjerë. Fluturimi çarter operohej nga kompania Security Aviation. Komanda e Alaskës konfirmoi se ekipet e kërkim-shpëtimit mbërritën në vendngjarje dhe nuk gjetën të mbijetuar.
Avioni u rrëzua në Aeroportin Cape Newenham, një pistë ajrore e Forcave Ajrore amerikane që shërben për qasjen në një objekt radarik me rreze të gjatë. Në këtë aeroport lejohen vetëm fluturimet ushtarake dhe fluturimet çarter të autorizuara. Shkaku i rrëzimit mbetet ende i paqartë.
“Kjo është një humbje shkatërruese për familjen tonë ushtarake dhe komunitetet që u shërbejmë”, deklaroi gjenerallejtënant i Forcave Ajrore të SHBA-së, Robert Davis, duke i cilësuar viktimat si profesionistë të përkushtuar që po kryenin një mision të rëndësishëm në një mjedis të vështirë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se emrat e viktimave do të publikohen vetëm pasi familjarët e tyre të jenë njoftuar zyrtarisht.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




