Rriten rastet e pickimeve nga vejusha e zezë dhe kafshimeve nga nëpërka; mjeku: Trajtimi duhet të jetë specifik

Picikimet nga vejusha e zezë dhe nëpërka tashmë janë prezente. Në Urgjencën e Toksikologjisë në QSUT kemi çdo ditë raste që kërkojnë ndihmë për shkak të rrezikut nga helmi jetëkërcënues që ata kanë në trup.
“Kafshimet nga gjarpri janë raste që i hasim pothuajse çdo ditë, rreth një deri në dy raste në ditë. Pacientët vijnë nga spitalet rajonale ose bashkiake, hospitalizohen dhe kërkojnë asistencë mjekësore. Edhe në këto raste, me antiviperin jemi në gjendje të ofrojmë trajtimin e nevojshëm. Sa i përket merimangës së zezë, janë regjistruar dy raste. Fatmirësisht, nuk ka pasur helmim sistemik”, tha Andrin Tahiri, shef i Toksikologjisë, QSUT.
Shefi i Toksikologjisë thotë se rastet janë më shumë fermerë apo banorë të zonës që bien në kontakt për shkak të pakujdesisë. Ndonëse qendrat shëndetësore verore janë të pajisura me antidotin kundër helmit, për pickimet nga merimanga Tahiri thekson se trajtimi duhet të jetë specifik, pasi komplikacionet janë jetëkërcënuese.
“Antivenomi i merimangës së zezë mund të them se është jetëshpëtues. Ndryshimet klinike shihen brenda 30 minutave të para dhe, brenda dy ditësh, pacienti zakonisht i rikthehet jetës normale. Megjithatë, antivenomi mund të ketë edhe efekte anësore, të cilat mund ta çojnë pacientin deri në shok anafilaktik. Në çdo rast, ne vlerësojmë raportin përfitim–rrezik, pra çfarë fiton dhe çfarë humbet pacienti. Mund të ndodhë që rreziku nga aplikimi i antivenomit të jetë më i madh sesa ai nga vetë helmi. Për këtë arsye, ne ngulim këmbë që, sa herë diagnostikohen raste të kafshimit nga merimanga e zezë, pacientët të referohen dhe të asistohen pranë Qendrës Spitalore, në shërbimin e Toksikologjisë.”, apelon mjeku.
Mjeku këshillon banorët dhe të afërmit të bëjnë kujdes me mënyrat popullore që përdorin, pasi shpesh përkeqësojnë gjendjen shëndetësore të personit të pickuar.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




