Rriten rastet mjekësore në bregdetin e Lezhës, mbi 150 persona marrin shërbim mjekësor çdo ditë

Aktualitet | 3 muaj më parë

Piku i sezonit turistik ka sjellë rritje të ndjeshme të rasteve që kërkojnë ndihmë mjekësore në qendrat shëndetësore verore të Shëngjinit dhe Tales në Lezhë.

Që prej fillimit të gushtit, mbi 150 persona paraqiten çdo ditë për asistencë shëndetësore, me numrin më të lartë të rasteve në Shëngjin. Sipas autoriteteve shëndetësore, fluksi është menaxhuar pa vështirësi falë pranisë së stafit të mjaftueshëm dhe furnizimit të rregullt me medikamente.

“Stafi mjekësor, infermieror dhe shërbimet mbështetëse janë në krye të detyrës çdo ditë, të cilët janë të pajisur me të gjitha mjetet dhe medikamentet për të dhënë këtë nivel shërbimi. Gjithashtu, ato koordinohen me Spitalin Rajonal të Lezhës”, tha Elson Frroku, Drejtor i NJVKSH Lezhë.

Qendrat shëndetësore verore janë të pajisura me autoambulanca dhe ajo e Shëngjinit edhe me motoambulancë.

“Një risi për këtë sezon është edhe aplikimi i tarifave për shërbimet shëndetësore ndaj turistëve të huaj. Risia këtë vit ka qenë vendosja e tarifave për pushuesit e huaj, ku në të dyja qendrat shëndetësore verore janë vendosur postet dhe çdo shërbim që jepet për të huajt ka edhe tarifat e veta specifike për secilin shërbim që ata marrin”, tha ai.

Qendrat shëndetësore verore në Shëngjin dhe Tale do të vijojnë punën deri në përfundim të sezonit turistik, duke garantuar asistencën e nevojshme për pushuesit që kanë zgjedhur bregdetin e Lezhës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme