Rritet bilanci i viktimave nga përmbytjet në Teksas, zyrtarët paralajmërojnë stuhi të tjera
Rritet bilanci i viktimave nga përmbytjet katastrofike në Teksas.
Ka shkuar në 82 numri i viktimave, ndërsa dhjetëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Numri i viktimave përfshin të paktën 28 fëmijë në Qarkun Kerr, ku 10 vajza dhe një këshilltare nga Kampi Mystic janë ende të pagjetura.
E ndërsa katastrofa vijon të thellohet, zyrtarët kanë paralajmëruar për më shumë stuhi në 24-48 orët e ardhshme në zonë, të cilat mund të pengojnë punën e ekipeve të shpëtimit që kërkojnë për të mbijetuar.
Presidenti Donald Trump shpalli gjendje të jashtëzakonshme në Qarkun Kerr, duke aktivizuar Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave në Teksas dhe tha se ka të ngjarë të vizitojë shtetin të premten.
“Është një gjë e tmerrshme ajo që ndodhi, absolutisht e tmerrshme. Prandaj themi, Zoti i bekoftë të gjithë njerëzit që kanë kaluar kaq shumë, dhe Zoti e bekoftë, Zoti e bekoftë shtetin e Teksasit”, u tha ai gazetarëve ndërsa po largohej nga New Jersey.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha të dielën se autoritetet nuk do të ndalen para asgjëje për t’u siguruar që të gjendet çdo person i zhdukur.
“Ishte thjesht e tmerrshme të shihje se çfarë përjetuan ata fëmijë të vegjël”, tha Abbott, një ditë pasi vizitoi zonën.
Një fokus kryesor i kërkimeve ka qenë Kampi Mystic, një kamp veror i njohur për vajza i vendosur në brigjet e lumit Guadalupe, i cili pësoi dëme të konsiderueshme.
Katastrofa ndodhi para agimit të së premtes, ndërsa niveli i lumit u rrit 8 metra në vetëm 45 minuta, ndërsa shumica e kampistëve ishin në gjumë.
Disa kampistë të rinj dhe drejtori i kampit, Richard “Dick” Eastland, janë mes viktimave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




