Rritja e pagave/ Eksperti i ekonomisë në RTSH: Vjen para fushatës elektorale, nevojitet vlerësim konstant

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi i ftuar në studion e RTSH, ka komentuar vendimin e qeverisë për rritjen e pagave. Në fjalën e tij, Preçi deklaroi se rritja e pagave ndodh në momentin që rritet rendimenti i punës dhe kur në njësinë e kohës prodhohet më shumë mallra dhe shërbime për përdoruesin fundor.
Teksa shprehet se kjo rritje korrespondon me periudhën e fushatës elektorale dhe një muaj para zgjedhjeve vendore të 14 majit, eksperti i ekonomisë, e sheh pozitivisht vendimin e qeverisë.
“Do isha i pasinqertë nëse do thoja që nuk më gëzon rritja e pagave për çdo grup apo kategori shoqërore në sektorin publik.
Por do isha dhe më i pasinqertë nëse do fshihja faktin se rritja e pagave mund të ndodhë dhe duhet të ndodhë, dhe përvoja e kapitalizmit të dy shekujve të fundit ka provuar se kur rritet rendimenti i punës ka kuptim përndryshe është shpërndarje, lihet mangët një spital, një shkollë, një objekt social kulturor, apo një mundësi zhvillimi tjetër në këtë kuptim. Do të thotë, stimulohet konsumi në kohë krize dhe kjo bën efekt, por nëse nuk shoqërohet me përmirësim të jetesës, arsimit , së shërbimeve shëndetësore, është vështirë të presësh që rritja e pagave të ketë efekt, përveç efekt momental, elektoral, të lidhur me kohën kur ndërmerret.
Ajo që është pozitive në deklaratat e z.Rama të dy muajve të fundit dhe është një fushatë elektorale paraprake, fakti që Shqipëria ka nevojë të bëjë një studim të thelluar të piramidës së pagave. Sot policëve, nesër gardianëve”, tha Preçi.
Eksperti i ekonomisë vuri theksin te fakti se rritja e pagave ka nevojë të indeksohet periodikisht bashkë me pensionet, për të korrigjuar efektet e inflacionit.
Nevoja për të shikuar piramidën e pagave, u shpreh Preçi, është e vazhdueshme. Sipas tij, është tregues pozitiv që qeveria po vepron, pavarësisht periudhën elektorale.
“Rritja e pagave vjen nga rendimenti i punës. E rëndësishme të kuptohet është që rritja e pagave ka nevojë të indeksohet bashkë me pensionet periodikisht për të korrigjuar efektin e inflacionit
Kur në njësinë e kohë prodhohet më shumë mallra dhe shërbime për përdoruesin fundor, atëherë rritjen pagat.
Nevoja për të shikuar piramidën e pagave është e vazhdueshme dhe është pozitive që qeveria më në fund po vepron, pavarësisht faktit që është në periudhë elektorale.
Rritja e pagave duhet të bëhet periodikisht, nën masën e rritjes ekonomike”, përfundoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




