Rritja e qirave në metropolet evropiane, modelet publikë që po zbutin krizën e banesave

Europë | 1 orë më parë

Në pjesën më të madhe të metropoleve evropiane, aksesi në strehim të përballueshëm është shndërruar në një nga sfidat më mprehëse sociale dhe politike. Mungesa e sipërfaqeve banuese me kosto të përballueshme, e shoqëruar me rritjen agresive të çmimeve të qirave në tregun privat, ka nxitur autoritetet vendore të zbatojnë modele eksperimentale dhe reforma strukturore për të stabilizuar tregun.

Rëndësia e kësaj teme u rikthye sërish në vëmendje pas zgjedhjeve të fundit lokale në Berlin, ku e Majta doli forcë e parë me premtimin për të jetësuar referendumit për shpronësimin e korporatave të mëdha imobiliare që zotërojnë mbi 3,000 njësi banimi.

Ndërkohë që kostoja e qirave të reja në kryeqytetin gjerman është rritur me rreth 50% gjatë pesë viteve të fundit, DW ka analizuar disa nga praktikat kryesuese që aplikohen në qytete të tjera evropiane.

Vjena, pronësia publike si mburojë

Modeli i zbatuar në Vjenë përfaqëson një nga shembujt më të suksesshëm dhe afatgjatë të ndërhyrjes shtetërore, me origjinë që nga periudha e pas Luftës së Parë Botërore. Sot, bashkia e Vjenës zotëron drejtpërdrejt rreth 220,000 apartamente publike dhe administron edhe 200,000 banesa të tjera të subvencionuara.

Përmes këtij mekanizmi, mbi 60% e popullsisë së kryeqytetit austriak jeton në struktura me qira të kontrolluar publike, çka shërben si një faktor kyç stabilizues edhe për çmimet e tregut privat banues.

Bazeli, ndarja e pronësisë së tokës nga ndërtesa

Për të mbrojtur zhvillimin e banesave nga luhatjet e çmimit të tokës, qyteti zviceran i Bazelit ka aplikuar modelin e dhënies së tokës publike me qira afatgjatë për kooperativat apo investitorët shoqërorë, pa e shitur atë. Kjo strategji u mundëson zhvilluesve të shmangin kostot e larta të blerjes së tokës — të cilat rëndojnë mbi qiramarrësit — ndërsa rreth 40% e njësive të banimit bashkëpunues në Bazel ndodhen mbi tokë publike. Modeli po aplikohet me ritme të shpejta edhe në Barcelonë e Lisbonë.

Parisi, shndërrimi i ndërtesave të zyrave në banesa

Në kryeqytetin francez, ku toka është kryesisht në duar private, bashkia aplikon që nga viti 2014 “të drejtën e parë të refuzimit” për blerjen e pronave për t’i kthyer ato në banesa sociale, me objektivin për të kapur pragun prej 30% të banesave për shtresat me të ardhura të ulëta deri në vitin 2035. Së fundmi, autoritetet rajonale identifikuan 61 projekte për shndërrimin e ndërtesave të zbrazëta të zyrave në periferi në më shumë se 8,200 banesa sociale.

Praga dhe Dublini, mbështetje për sektorin publik dhe klasën e mesme

Praga

Për të mbrojtur punonjësit thelbësorë (mësues, policë, infermierë), kryeqyteti çek ka përfunduar 660 apartamente me efikasitet energjetik, të financuara nga kredi evropiane. Qiratë vendosen 20% nën çmimin e tregut, ndërsa përzgjedhja e qiramarrësve bëhet nga vetë institucionet publike.

Dublini

Pasi hyrja e korporatave teknologjike dhe investitorëve të huaj rriti skajshmërisht qiratë, Irlanda prezantoi në vitin 2021 skemën “Cost Rental”. Programi synon familjet e klasës së mesme me të ardhura neto nën 66,000 euro në vit, duke u ofruar banesa me qira mesatarisht 30% më të ulëta se tregu privat përmes organizatave jofitimprurëse.

Këto iniciativa tregojnë se zgjidhja e krizës së strehimit po zhvendoset gjithnjë e më shumë nga mekanizmat e lirë të tregut drejt ndërhyrjeve direkte publike, zbatimit të politikave të pronësisë mbi tokën dhe rikonvertimit të infrastrukturës ekzistuese.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme