RTSH forcon bashkëpunimin me Austrinë, në fokus projekte kulturore dhe digjitalizimi i arkivave

Aktualitet | 9 muaj më parë

Ambasadorja e Austrisë në Tiranë, Monika Zach, vizitoi ambientet e Radio Televizioni Shqiptar, ku u prit nga Drejtoresha e Përgjithshme e medias publike, Eni Vasili.

Në fokus të takimit  ishte rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet RTSH-së dhe Ambasadës së Austrisë, si dhe zgjerimi i partneritetit në projekte kulturore dhe mediatike. Gjatë diskutimeve u trajtuan gjithashtu mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të Eurovision Song Contest, duke qenë se Austria është mikpritëse e edicionit të këtij viti, pas fitores në festivalin e vitit të kaluar, si dhe nisma të tjera të përbashkëta me interes të ndërsjellë.

Po ashtu, pjesë e bisedës ishte edhe procesi i digjitalizimit të arkivave të RTSH-së. U theksua nevoja për mbështetje dhe ekspertizë në ruajtjen, restaurimin dhe modernizimin e materialeve me vlerë historike dhe kulturore që ndodhen në fondin audioviziv të institucionit.

Drejtoresha Vasili nënvizoi se RTSH mbetet i përkushtuar për të zgjeruar bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë, me synim rritjen e cilësisë së përmbajtjes dhe forcimin e mëtejshëm të rolit të medias publike në vend.

Në përfundim të vizitës, Ambasadorja u njoh nga afër me Arkivën dhe Fonotekën e RTSH-së, si dhe me punën që po zhvillohet për inventarizimin dhe digjitalizimin e fondeve historike që administron media publike shqiptare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme