RTSH Korça, 26 vite – Mirënjohje për institucionin dhe figurat që kontribuan ndër vite

Televizion | 2 muaj më parë

RTSH Korça shënoi 26-vjetorin e krijimit me një mbrëmje të veçantë, kushtuar punës dhe kontributit të dhjetëra punonjësve që ndër vite kanë qenë pjesë e këtij institucioni. Në këtë përvjetor u vlerësua edhe vetë RTSH Korça me çmimin “Grand Prize” nga “Albanian Excellence”, në shenjë vlerësimi për kontributin e saj në informim dhe në jetën publike e kulturore të rajonit.

“Sot, 26 vite nuk janë thjesht një numër, por kujtesa e Korçës. Është historia njerëzore e këtij komuniteti, e këtij metropoli të madh që quhet Korçë. Është koha për të kthyer sytë mbrapa, në mënyrë që të ecim më mirë përpara. Do të ndajmë së bashku atë që ka kaluar si sukses dhe vizionin për sfidat që na presin.” – tha Julian Napoloni, Drejtor i RTSH Korçë.

Gjatë mbrëmjes u ndanë gjithashtu certifikata mirënjohjeje për figura që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm ndër vite në RTSH Korça, mes tyre ish-drejtori Anesti Tili, ish-kryeredaktorja Irena Karamelo dhe ish-teknikja e montazhit Rajmonda Xhoga.

“Ishin djemtë dhe vajzat që, me vrullin, me dashurinë, me pasionin dhe me shpirtin e madh korçar, pranuan të inkuadrohen jo vetëm me kohën time, por edhe me atë të tyre, të fshehur brenda shpirtit të tyre. Ne arritëm ta bëjmë atë studio të vogël një studio dinjitoze dhe një shkollë të vërtetë të gazetarisë shqiptare.” – theksoi Anesti Tili, ish-drejtor i RTSH Korçë.

“Faleminderit për vlerësimin dhe respektin. Ju faleminderit të gjithë juve me të cilët kemi punuar bashkë kaq vite. Faleminderit Korçës që më ka ndjekur dhe unë jam përpjekur që ta kënaq me automësinë dhe me punën time.” – theksoi Irena Karamelo, ish-kryeredaktore e RTSH Korçë.

Në këtë mbrëmje morën pjesë personalitete të jetës publike, përfaqësues të institucioneve, ish-punonjës të RTSH Korçës dhe të ftuar të tjerë, duke e kthyer përvjetorin në një moment kujtese dhe vlerësimi për historinë e këtij institucioni mediatik.

Gazetare: E. Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme