Rubio: Pas dyshimeve për sulm në në bazën ajrore RAF Fairford qëndron qartë një aktor i huaj

Amerikë | 54 minuta më parë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se pas incidentit të dyshimtë në bazën ajrore RAF Fairford në Britani qëndron “qartë” një aktor i huaj, ndërsa pesë personat e arrestuar pranë bazës janë liruar me kusht.

Në një intervistë për Fox News të hënën në mbrëmje, Rubio e cilësoi ngjarjen si një situatë “shumë serioze” dhe tha se ajo “qartë përfshin dorën e një aktori të huaj”. Megjithatë, sekretari amerikan i Shtetit nuk paraqiti prova për të mbështetur këtë pretendim.

Deklaratat e Rubio erdhën disa orë pasi pesë të dyshuarit, të arrestuar pranë RAF Fairford, u liruan me kusht. Më herët gjatë ditës, presidenti amerikan Donald Trump tha se ai nuk do t’i kishte liruar të dyshuarit.

“Ne dimë gjithçka për ta. Ne nuk do t’i kishim liruar”, deklaroi Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

I pyetur nëse çështja kishte lidhje me Iranin, presidenti amerikan u përgjigj: “Mund të jetë”.

Kur gazetarët kërkuan më shumë detaje, Trump tha se preferonte të mos fliste për këtë çështje. “Do të preferoja të mos e bëja. Dua të them, e di përgjigjen, mund të jem shumë specifik, por preferoj të mos e them. Unë nuk do t’i kisha liruar”, u shpreh ai.

Trump ka lënë të kuptohet më herët se autoritetet amerikane kishin dijeni për komplotin e dyshuar, ndërsa burime britanike kanë sugjeruar se aktivitetet konkrete të pesë personave nuk ishin të njohura për autoritetet amerikane.

Ndërkohë, drejtuesi i policisë britanike kundër terrorizmit, ndihmës-komisioneri Laurence Taylor, ka theksuar se lirimi i të dyshuarve me kusht nuk nënkupton se hetimi ka përfunduar. Sipas tij, pesë personat i nënshtrohen “kushteve të rrepta”.

“E di se ka një interes të madh nëse konteksti aktual gjeopolitik ka lidhje me këtë incident. Në policinë kundër terrorizmit ne po punojmë çdo ditë në këtë kontekst dhe, në këtë fazë, po e mbajmë një qasje të hapur në këtë hetim”, deklaroi Taylor.

Ai shtoi se autoritetet po e shqyrtojnë ngjarjen “nga çdo kënd i mundshëm”, përfshirë mundësinë që të bëhet fjalë për veprimtari të kryera nga persona që veprojnë si ndërmjetës ose individë që, me vetëdije apo pa vetëdije, punojnë në emër të një shteti të huaj.

Dyshimet fillestare të policisë u ngritën pas kontrollit të automjeteve të përdorura nga të dyshuarit, pasi u dyshua se ato mund të transportonin materiale shpërthyese dhe se këto mund të përdoreshin për ndërtimin e pajisjeve shpërthyese artizanale. Megjithatë, pas lirimit të të dyshuarve, u bë e ditur se në automjete nuk ishte gjetur material shpërthyes.

Në sfondin e hetimit qëndrojnë edhe shqetësimet britanike për aktivitetet e dyshuara të Iranit përmes personave të ndërmjetëm në Mbretërinë e Bashkuar. Autoritetet kanë hetuar më parë raste që variojnë nga sulme të dyshuara me zjarr ndaj objektivave hebraike deri te një incident ku persona dyshohet se kanë përdorur një dron të thjeshtë pranë ambasadës së Izraelit.

Megjithatë, autoritetet britanike kanë theksuar se hetimi për incidentin në RAF Fairford vijon dhe se në këtë fazë po shqyrtohen të gjitha pistat e mundshme.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme