Rusia mund të diskutojë me SHBA shkëmbimin e të burgosurve, në këmbim të gazetarit amerikan, Evan Gershkovich

Rusia duket se është e gatshme të diskutojë një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve me SHBA-në, që përfshin edhe gazetarin e burgosur të Wall Street Journal, Evan Gershkovich.
Ai është akuzuar për spiunazh. Kjo u bë e ditur nga një diplomat i lartë rus. Gershkovich, 31 vjeç, punëdhënësi i tij dhe qeveria amerikane, mohojnë se ai ishte i përfshirë në spiunazh. Ata kanë kërkuar lirimin e tij.
Zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov i tha agjencisë shtetërore të lajmeve Tass se bisedimet për një shkëmbim të mundshëm mund të zhvillohen përmes një kanali të dedikuar që agjencitë e sigurisë ruse dhe amerikane kanë krijuar për qëllime të tilla.
“Ne kemi një kanal pune që është përdorur në të kaluarën për të arritur marrëveshje konkrete. Këto marrëveshje janë përmbushur”,- tha Ryabkov, duke shtuar se “nuk ka nevojë për përfshirjen e ndonjë vendi të tretë”.
Megjithatë, ai theksoi se Moska do të negociojë një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve vetëm pas procesit gjyqësor.
“Çështja e shkëmbimit të kujtdo mund të shqyrtohet vetëm pasi një gjykatë të japë vendimin e saj,”- u citua ai nga Tass. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




