Rusia sulm masiv ndaj Ukrainës, të paktën 10 të vdekur në Kiev dhe Dnipro

Sulmet ruse kanë shkaktuar të paktën 10 viktima në të gjithë Ukrainën, gjashtë prej tyre në Dnipro dhe katër në kryeqytetin Kiev, në atë që konsiderohet si një nga ofensivat më të mëdha të Moskës në muajt e fundit, raporton BBC.
Dhjetëra persona të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre edhe disa fëmijë, pasi sulmet ajrore gjatë natës goditën ndërtesa banimi. Ekipet e emergjencës po punojnë për të gjetur persona që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat në Kiev.
Alarmet për sulme ajrore u aktivizuan në pjesën më të madhe të territorit ukrainas në orët e para të së martës.
Moska kishte paralajmëruar javën e kaluar se do të ndërmerrte “sulme sistematike” ndaj Ukrainës, pasi akuzoi Kievin për një sulm vdekjeprurës ndaj një konvikti studentor në një zonë të pushtuar të Ukrainës lindore. Nga ana e saj, Ukraina deklaroi se kishte goditur një njësi ushtarake ruse.
Re të mëdha tymi u panë mbi qendrën e Kievit, ndërsa kryebashkiaku i qytetit, Vitali Klitschko, u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në strehimore. Kreu i Administratës Ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, tha se armiku po përdor raketa balistike.
Klitschko deklaroi gjithashtu se ekzistojnë dyshime se disa persona mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të dëmtuara.
Ndërkohë, në Rusi, qendra e emergjencave e rajonit Krasnodar Krai raportoi një zjarr në Ilsky Oil Refinery pas një sulmi me dron. Sipas autoriteteve ruse, nuk pati viktima.
Gjatë sulmeve ndaj Kievit në orët e para të mëngjesit, u dëgjuan dronë dhe më shumë se një duzinë shpërthimesh të fuqishme. Sulmet shkaktuan zjarre pranë një pike karburanti, një kantieri ndërtimi, disa pallateve dhe dy banesave private. Gjithashtu u raportuan ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të qytetit.
Në Kharkiv, kryebashkiaku Ihor Terekhov tha se 10 persona, përfshirë një fëmijë, u plagosën nga sulmet me dronë dhe raketa gjatë natës.
Më në jug, një objekt industrial u godit gjithashtu në Zaporizhzhia. Sulmet vijnë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi të hënën për mundësinë e një sulmi të madh rus dhe u bëri thirrje qytetarëve t’u kushtojnë vëmendje të veçantë alarmeve ajrore.
“Paralajmërimet e inteligjencës për sulme ruse mbeten në fuqi. Një sulm masiv është i mundur, ata janë përgatitur për të,” tha Zelensky në fjalimin e tij të përnatshëm.
Javën e kaluar, Rusia deklaroi se do të shënjestronte qendrat ushtarake dhe ato vendimmarrëse në Kiev, duke u kërkuar të huajve të largohen nga qyteti. Moska tha se kjo ishte përgjigje ndaj një sulmi ukrainas ndaj një konvikti në zonën e Starobilskut.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës pranoi se kishte kryer një sulm pranë Starobilskut gjatë natës së 21-22 majit, por këmbënguli se objektivi ishte një njësi ushtarake ruse.
Kievi i cilësoi kërcënimet ruse si “shantazh të paturpshëm” dhe u bëri thirrje aleatëve të shtojnë presionin ndaj Moskës.
Që nga përfundimi i armëpushimit të përkohshëm në maj, Rusia ka ndërmarrë disa valë sulmesh me raketa dhe dronë ndaj Kievit. Mes tyre ishte edhe një sulm ndaj një pallati banimi që vrau 24 persona, përfshirë tre fëmijë.
Ndërkohë, një sulm ukrainas me dron në rajonin e Moskës shkaktoi tre viktima. Zelensky e cilësoi atë si një përgjigje “plotësisht të justifikuar” ndaj sulmeve ruse.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




