“Sa më shumë koncerte të ketë, aq më e bukur është dhe jeta”, Bashkim Alibali kujton takimin me Ferdinand Dedën dhe jep një këshillë për brezin e ri

Pas interpretimit të këngës së tij fituese në skenën e Festivali i Pranverës, këngëtari i madh i skenës shqiptare Bashkim Alibali ndau emocionet dhe kujtimet e tij, duke theksuar rëndësinë e këngës që arrin të bëhet pjesë e publikut.
Alibali vlerësoi autorët e këngës, duke përmendur tekstshkruesen Zhuljana Jorganxhi dhe kompozitorin Gjergj Leka, si dhe faktin se kënga është kënduar gjerësisht ndër vite.
Në mesazhin e tij, këngëtari kujtoi edhe figurën e Ferdinand Dedës, si krijues i Festivalit të Pranverës dhe një personalitet të rëndësishëm të muzikës shqiptare. Ai u shpreh se “sa më shumë koncerte të ketë, aq më e bukur është jeta”, duke theksuar rëndësinë e muzikës me bazë kombëtare. Alibali dha edhe një mesazh për brezin e ri të artistëve,.

“Kam marrë çmimin e parë në festival dhe kam marrë çmimin nga publiku. Kanë kaluar 41 vite. Zhuljana Jorganxhi e ka gdhend, po ashtu dhe Gjergj Leka. Kudo e kanë kënduar, edhe tani në sallë. Kjo është kënaqësia më e madhe, kur kënga bëhet popullore.
Kujtoj të madhin, gjigandin Ferdinand Deda që ishte iniciuesi i këtij festivali, sa më shumë koncerte të ketë, aq më e bukur është dhe jeta. Këngëtari mbetet në qoftë se e ka të bazuar këngën në motivin kombëtar. E kam shijuar te kënga Shota.
Brezit të ri, u jap një këshillë nga eksperienca ime. Në këtë skenë kam hipur në vitin 1971, u jap këshillë që sa më shumë kënga të mbështetet në tabanin kombëtar dhe populli e kupton më shumë. Unë i falënderoj të dy krijuesit e këngës sime, por falënderoj dhe Ferdinand Dedën. Këtë këngë ia kam treguar Ferdit dy ditë para Festivalit të Pranverës dhe më thotë thuaj Gjergjit ta kompozojë menjëherë. Ferdi e donte shumë nënën. Janë këngët e familjes këto. Unë kam këngë dhe për babain dhe për motrën, për baxhanakun jo (qesh). Unë jam rritur në RTSH. Për herë të parë kam takuar në 1971 Ferdinand Dedën. Kujtoj që i kam kapur duar dhe dridhesha sepse ishte i madhi, ai që e ka krijuar Festivalin e Pranverës”, tha Alibali.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




