Salianji del sot para gjykatës për çështjen “Babale”, Berisha: Meritonte medalje, Rama kërkon t’i heqë mandatin e deputetit

Kryetari i Partisë Demokratike i zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha në një deklaratë për media ka reaguar për çështjen “Babale”, për të cilën sot në orën 14:00, pritet të zhvillohet seanca gjyqësore ndaj deputetit Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Berisha deklaroi se qëllimi i vërtetë i Kryeministrit Rama është heqja e mandatit të deputetit Ervin Salianjit. Ky i fundit sipas Berishës, nuk ka bërë asgjë tjetër përveçse denoncimin e ‘klanit mafioz’. Për Berishën, Salianji dhe gazetari meritojnë medalje dhe jo procese gjyqësore.
Në përfundim të deklaratës së tij, Berisha kërkoi ndjekjen penale të Ardi Veliut, ish-kryepolicit të Fierit, oficerëve të SHISH dhe gjykatësve që caktuan seancën gjyqësore ndaj Salianjit dhe gazetarit.
“Procesi ndaj deputetit Salianji, me të cilin Edi Rama dhe grupi mafioz Xhafaj duan ti marrin atij mandatin. Ky përbën një triumf të plotë të mafies shqiptare të Edi Ramës në çdo nivel. Ervin Salianji si deputet në betejën e tij, që në fakt duhet ta bëjë çdo deputet, denoncoi Geron (Agron) Xhafën, një i kërkuar nga drejtësia italiane se ishte i dënuar me shtatë vite burg i rrjetit të Bolonjës si drejtues i trafikut të drogave të forta.
Gazetarë kurajoz, faktuan nëpërmjet regjistrimeve se Geron Xhafa vazhdon të ishte drejtues i trafiqeve nga Porti I Vlorës. Ai ishte i aftë të siguronte tonelata droge për tregun Italian.
Ervin Salianji nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka denoncuar mosdorëzimin te autoritetet italiane të shumëkërkuarit Xhafa të dënuar me vendim të formës së prerë nga drejtësia italiane dhe ka publikuar regjistrimin e gazetarit investigativ, sipas së cilit Geron Xhafa vazhdonte drejtimin dhe udhëheqjen e trafiqeve.
Geron Xhafa ndalohet dhe sillet në tiranë. Bën padi kundër gazetarit dhe Salianjit sepse I njollosën pastërtinë e tij dhe të nesërmen në 6 të mëngjesin prokurorët politikë e nisën për në Itali për të vuajtur dënimin. Një ditë më vonë fillon montimi I turpshëm, manipulimi të policisë sekrete për të deformuar realitetin. Në këtë akt kriminal janë të implikuar Ardi Veliu, famziu Nushi që është në arrest sot, punonjësit e SHISH të cilët sapo morën vesh se fjalë bëhej për Agron Xhafën deformuan ligjin dhe thanë se zëri Ishte i Hysenit.
Cili ishte gjykatësi që dha në shkallën e parë dënimin? Një trafikant, anëtar I bandës së Lushnjes Artan Gjermeni. Është denoncuar në mënyrë të përsëritur nga qytetarët e SHBA sepse fshihte penalitetet e krimineleve shqiptarë kundrejt 10 mijë eurove.
Janë 3 denoncime për të cilat Artan Gjermeni duhet të vuajë vite burg. Ky gjykatës arrin të dënojë për llogari të Xhafës deputetin dhe gazetarin për veprën që meritonin dekoratë nga shteti ligjor. Gjykatësja Petra Sadushi, burri i të cilës është i lidhur me klanin Xhafa dhe komisari politik i partisë në fuqi ka hedhur shortin dhe caktuan me short datën e gjykimit. Në vend të tërheqjes së menjëhershme nga procesi, ajo ka marrë përsipër të çojë më tej veprën kriminale.
Jam sot këtu për tu bërë thirrje gazetarëve, të përndjekurve politikë dhe mbarë qytetarëve, që të ndjekin këtë proces të turpshëm politik që ka vulën e mafias shtetërore shqiptare. Kërkoj ndjekjen penale të Ardi Veliut, ish-Kryepolicit të Fierit , oficerëve të turpshëm të SHISH, të Artan Gjermenit, Petra Sadushit, Blerina Muçit. Çështjen Salianji PD do e bëj çështje ndërkombëtarë dhe s’do pranojë kurrë që në Shqipëri të rikthehen proceset politike”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




