Samiti i SCO-së në Kinë, mbërrijnë Putini dhe kryeministri Modi. Xi: Mbështesim botën shumëpolëshe

Azi | 1 vit më parë

Presidenti rus Vladimir Putin dhe kryeministri indian Narendra Modi janë dy ndër 20 udhëheqësit botërorë që ndodhen të dielën në Kinë për të marrë pjesë në samitin e Organizatës së Shangait për Bashkëpunim (SCO).

Dy liderët u pritën nga presidenti kinez Xi Jinping (lex. Shi Xhinping). Sot dhe të hënën ata do të mblidhen në qytetin e Tianxhinit për të diskutuar me palë të ndryshme nga Azia, Europa dhe Lindja e Mesme, çështje të cilat shqetësojnë Azinë Qendrore dhe mbarë botën.

Në samit merr pjesë edhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian, vendi i të cilit përballet me sanksione nga Perëndimi. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u prit nga ambasadori i Turqisë në Kinë dhe ministri kinez i Shtetit para se t’i bashkohet takimit të Këshillit të 25-të të Krerëve të Shteteve si një i ftuar nderi në këtë SCO.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe Zonja e Parë, Emine Erdogan, mbërrijnë në Kinë

“Ne jemi përkushtuar për t’i çuar përpara marrëdhëniet tona në bazë të respektit të dyanshëm, besimit dhe ndjeshmërive,” shkroi kryeministri Modi në rrjetin social “X”.

Kjo është vizita e parë e Modit në Kinë në shtatë vite. “Duhet të marrim përsipër përgjegjësi historike për të mbështetur multilateralizmin, botën shumëpolëshe dhe më shumë demokraci në institucionet ndërkombëtare, dhe të punojmë së bashku për paqe dhe prosperitet në Azi dhe përreth botës,” u shpreh kryeministri kinez Xi.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping

Vizita e Putinit në Kinë do të zgjasë për katër ditë. Ai zbriti në një tapet të kuq nga avioni i tij presidencial në Tianxhin. Televizioni shtetëror kinez njoftoi se mbërritja e presidentit rus do të vërë në pah raportet “më të mira në histori, të qëndrueshme dhe strategjikisht të rëndësishme” mes Rusisë dhe Kinës. Para mbërritjes, Putini u shpreh për agjencinë kineze “Xinhua” se Moska dhe Pekini i kundërshtojnë sanksionet “diskriminuese” të Perëndimit.

Qëllimi i SCO-së sivjet është të forcojë bashkëpunimin rajonal teksa Shtetet e Bashkuara rritin presionin në kërkim të marrëveshjeve tregtare dhe për arsye sigurie. Vetë India është përballur me tarifa ndëshkuese 50 për qind mbi eksportet e saj në SHBA, pasi aleati i dikurshëm (Uashingtoni) arsyeton se vazhdon të blejë naftën ruse.

SCO-ja, e themeluar në vitin 2001, përfshin Kinën, Indinë, Rusinë, Pakistanin, Iranin, Kazakistanin, Kirgizistanin, Taxhikistanin, Uzbekistanin, Bjellorusinë dhe 16 vendeve të konsideruara si vëzhguese ose “partnerë në dialog”. /DW

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme