Saranda me parkimin e parë publik, Koçiu: Infrastrukturë moderne, do menaxhojë fluksin e turizmit

Aktualitet | 6 muaj më parë

Saranda ka parkimin e parë publik një hapësirë multifunksionale që do të hapet brenda muajit maj dhe që synon të kombinojë infrastrukturën moderne me standardet europiane të shërbimeve.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, ka vizituar ka afër “Qendrën e Mirëpritjes” në Sarandë, një projekt i ri infrastrukturor që pritet të shërbejë si porta kryesore hyrëse për vizitorët dhe turistët në qytetin bregdetar.

Projekti është një investim i qeverisë shqiptare, Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Bashkisë Sarandë dhe me mbështetjen e Bankës Botërore. Godina parashikon lehtësimin e parkimit dhe menaxhimin më të mirë të fluksit të vizitorëve gjatë sezonit turistik veror.

Zëvendëskryeministrja Koçiu u shpreh se ky investim do të ndihmojë ndjeshëm në lehtësimin e qarkullimit dhe parkimit për turistët që vizitojnë Sarandën, duke e cilësuar zonën si “portën e parë të mikpritjes” së qytetit. Sipas saj, objekti pritet të vihet në funksion për sezonin e ardhshëm turistik.

Projekti parashikon rreth 100 vende parkimi për autobusë dhe për automjete private, të cilat do të administrohen nga Bashkia e Sarandës. Hapësira do të shërbejë gjithashtu për akomodimin dhe shpërndarjen më të mirë të fluksit të turistëve që lëvizin drejt destinacioneve të tjera bregdetare, përfshirë zonën e Ksamil, e cila ndodhet në një pozicion strategjik turistik.

Ndërtesa e re ka një sipërfaqe prej rreth 8 mijë metrash katrorë dhe përbëhet nga tre kate (një nën tokë dhe dy mbi tokë). Ajo është e pajisur edhe me infrastrukturë për karikimin e automjeteve elektrike, duke u përshtatur me standardet bashkëkohore të transportit dhe qëndrueshmërisë.

Ky investim pritet të ndikojë në përmirësimin e menaxhimit të turizmit në zonë dhe në rritjen e kapaciteteve pritëse të qytetit gjatë sezonit veror.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme