Scholz: Do të dërgojmë më shumë armë në Izrael

Kancelari gjerman Olaf Scholz bëri të ditur se së shpejti Gjermania do t’i dërgojë më shumë armë Izraelit. Kjo deklaratë e kancelarit gjerman vjen në një kohë kur Gjermania kishte reduktuar dërgesat e armatimeve drejt Izraelit dhe qeveria po përballej me akuzat e opozitës se ka vonuar qëllimisht dërgesat drejt Tel Avivit.
“Ne nuk kemi vendosur të mos i furnizojmë me armë. Ne i kemi furnizuar me armë dhe do t’i vijojmë t’i furnizojmë”, tha Scholz para parlamentit teksa u përkujtuan edhe viktimat e sulmit të Hamasit të 7 tetorit.
Kjo deklaratë e Scholzit ishte një kundërpërgjigje ndaj liderit të opozitës, Friedrich Merz, pasi ky i fundit akuzoi qeverinë se po vonon dërgesat e armëve në Izrael, duke përfshirë municione dhe pjesë rezervë tankesh.
“Për javë dhe muaj të tërë, qeveria federale ka refuzuar të japë leje për dërgimin e municioneve dhe madje edhe pjesë rezervë për tanke. Ne jemi të vetëdijshëm për disa raste specifike ku qeveria ka ndaluar miratimin për pajisjet dhe materialet që Izraelit i duhen urgjentisht për t’u mbrojtur”, tha Merz.
Miratimet e Gjermanisë për dërgesat e armëve në Izrael ranë ndjeshëm këtë vit, me vetëm 14.5 milionë euro, nga janari deri më 21 gusht, sipas të dhënave të ofruara nga Ministria e Ekonomisë.
Në vitin 2023, Gjermania miratoi dërgesat e armëve në Izrael me vlerë 326.5 milionë euro, duke përfshirë pajisje ushtarake dhe armë lufte, një rritje 10-fish nga viti 2022, treguan të dhënat nga ministria, e cila miraton licencat e eksportit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




