Seanca ndaj Salianjit për çështjen “Babale”, Flamur Noka: Pjesë e planit për t’i mbyllur gojën

Politikë | 4 vite më parë

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Flamur Noka, i ka dalë në mbështetje deputetit demokrat, Ervin Salianji i cili do të dalë para Gjykatës së Apelit për çështjen “Babale”.

Me një postim në Facebook, Noka e konsideron procesin si të montuar dhe pjesë të “planit për t’i mbyllur gojën Salianjit”

“Kolegu Ervin Salianji bëri publik investigimin e gazetarit që provonte se vëllai i ‘rilindasit’ Fatmir Xhafa vazhdonte organizimin e trafikut të drogës. Me procese gjyqësore të montuara në shkallën e parë dhe në apel, vëllazëria e drogës i është vërsulur deputetit të Partisë Demokratike me akuzën se ai u ka dëmtuar imazhin që me “djersën e ballit” e kanë vendosur në Itali e Venezuelë. Pjesë e planit për t’i mbyllur gojën deputeti Salianji janë gjyqtarë me lidhje miqësore me klanin Xhafa, agjentë të SHISH, dëshmitarë të rremë e mbi këta qëndrojnë dy narkoshtetarët Edi Rama dhe Fatmir Xhafa.  Ndodh edhe kjo, që një i arratisur ka besim te drejtësia”, shkruan Noka.

Seanca në Apel ndaj Salianjit pritej të mbahej këtë të hënë në orën 14:00, por u shty për në datë 18 korrik në të njëjtin orar, kjo për shkak se nuk plotësohej trupi gjykues pasi mungonte gjyqtarja Elona Toro.

Ndërkohë në sallën e gjyqit, në mbështetje të Salianjit shkuan dhe deputetë të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, Flamur Noka, Luçiano Boçi, Luan Baçi, Saimir Korreshi, Elda Hoti, Kasem Mahmutaj, Isuf Çela, Selaudin Jakupllari. 

Salianji u shpall fajtor për kallëzim të rremë në lidhje me çështjen “Babale”. PD e ka protestuar jo pak herë vendimin e shkallës së parë që e shpalli Salianjin fajtor për shpifje duke e dënuar me 1 vit burg. Sipas PD, prokurorët dhe gjyqtarët janë të kapur nga qeveria dhe se kjo e fundit kërkon t’i heqë mandatin Salianjit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme