Seanca në GJKKO, avokati i ri i Metës kërkon përjashtimin e disa provave: Janë të montuara ose të riekspertohen. Ish-presidenti: Ende s’kam marrë të plotë dosjen
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit mbahet seanca e radhës ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi.
Në seancë u paraqit edhe avokati i ri i Ilir Metës, Bujar Musta, i cili merr zyrtarisht mbrojtjen e kreut të Partisë së Lirisë, pas ndërprerjes së bashkëpunimit me avokatin Kujtim Cakrani.
Ndryshimi i përfaqësimit ligjor u kërkua nga vetë Meta, i cili ka shprehur dëshirën që të mbrohet nga një avokat i angazhuar ekskluzivisht me çështjen e tij, për shkak të volumit të dosjes dhe nevojës për përfaqësim të vazhdueshëm gjatë procesit.
Gjatë seancë Meta deklaroi se ende nuk i është vënë në dispozicion e plotë dosja hetimore, duke theksuar se kjo cenon të drejtën e tij për një mbrojtje efektive.
“Ende nuk më janë dhënë në mënyrë shkresore e gjithë përmbajtja e dosjes hetimore. E kam theksuar në të gjitha seancat paraprake dhe në themel. Sa më shpejt të jetë e mundur duhet të njihemi me çdo akt që të bëjmë mbrojtje efektive”, u shpreh Meta para trupit gjykues.
Nga ana e tij, gjyqtari Erion Bani deklaroi se procedurat për dorëzimin e akteve janë kryer prej kohësh nga sekretaria e gjykatës, por sipas tij, mbrojtësi i mëparshëm i Metës kishte refuzuar t’i tërhiqte.
“Nga shkresat e sekretarisë janë bërë të gjitha procedurat për dhënien e këtyre akteve. Ka kohë që janë bërë, por mbrojtësi juaj refuzoi t’i marrë me pretendimin ‘vulë e madhe e vulë e vogël’. I kemi bërë konform të gjitha rregullave, si për çdo të pandehur. Mund të paraqitet avokati juaj në sekretari t’i marrë ose të bëjë kërkesë që t’ia dërgojmë në paraburgim”, tha gjyqtari Bani.
Pas këtij sqarimi, avokati i ri i Ilir Metës, Bujar Musta, u shpreh se nuk kishte dijeni për këtë situatë dhe njoftoi se do të paraqitej menjëherë në sekretarinë e gjykatës për të tërhequr dokumentacionin.
“Nuk isha në dijeni për këtë pretendim. Pas përfundimit të seancës do të paraqitem menjëherë për të tërhequr aktet”, deklaroi avokati Musta.
Avokati i Ilir Metës, Bujar Musta, i ka kërkuar gjykatës që të shpallë të papërdorshme një sërë provash të paraqitura nga Prokuroria në procesin ndaj ish-Presidentit.
Gjatë seancës, Musta kërkoi që të mos pranohen si prova bisedat dhe mesazhet e shkëmbyera me Kastriot Ismailajn, duke pretenduar se ato nuk janë autentike.
“Të mos merren si provë dhe të konsiderohen të papërdorshme bisedat dhe mesazhet me Kastriot Ismailajn. Nëse kërkesa ime nuk pranohet, kërkoj riekspertim, sepse materiali nuk është i saktë, nuk është origjinal dhe është i montuar. Interpretimi i bërë nga prokurori për përmbajtjen e mesazheve nuk është në përputhje me ligjin”, u shpreh avokati.
Mbrojtja kërkoi gjithashtu që gjykata të mos marrë në konsideratë si prova intervistat e Elvis Matajt dhe Vojsava Ismailit, si edhe deklarimet e ish-ministrit Dritan Prifti, duke kundërshtuar përdorimin e tyre në procesin gjyqësor.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024. Ai dhe Monika Kryemadhi po gjykohen për një dosje që përfshin tre hetime të bashkuara: çështjen CEZ-DIA, lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror.
Prokuroria e Posaçme i akuzon Metën dhe Kryemadhin për veprat penale të korrupsionit pasiv, pastrimit të parave dhe fshehjes ose mosdeklarimit të pasurisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



