Rutte pret nesër Ramën në selinë e NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte do të presë në një takim të mërkurën, (17 shtator) kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Takimi do të zhvillohet në selinë e NATO-s në Bruksel.
Sipas agjendës së bërë publike nga faqe zyrtare e NATO-s, bëhet e ditur se takimi do të nisë rreth orës 09:00, dhe përfshin një fjalim të përbashkët mes dy liderëve.
Kryeministri Edi Rama po qëndron në Bruksel në kuadër të Konferencës së gjashtë Ndërqeveritare për zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Vizita e tij përkon me një zhvillim të rëndësishëm në procesin e integrimit, pasi janë hapur negociatat për katër kapituj të rinj në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Kujtojmë se janë çelur sot (16 shtator) 4 kapituj të grupkapitullit “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, duke e çuar në 24 numrin e grupkapitujve të hapur brenda 11 muajsh.
Ministrja daneze Marie Bjerre së bashku me Komisioneren e BE-së për Zgjerim Marta Kos gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, kanë përgëzuar Shqipërinë për progresin e arritur, kryesisht në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe harmonizimin me politikën e jashtme europiane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




