Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vizitë në Ballkanin Perëndimor, takohet sot me Osmanin dhe Kurtin

Rajon | 3 vite më parë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në kuadër të vizitës në Ballkanin Perëndimor, do të udhëtojë këtë të hënë drejt Kosovës, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Po ashtu, Stoltenberg do të vizitojë edhe Kampin e KFOR-it  “Nothing Hill”, ku do të takohet me Komandantin e KFOR-it dhe do t’ju adresohet trupave.

Po ashtu, sipas njoftimit të publikuar nga NATO, Stoltenberg do të takojë edhe Drejtorin e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, gjeneral brigade Hammerstein.

Pas vizitës në Kosovë, Stoltenberg do të udhëtojë të martën (21 nëntor) në Beograd, ku do të takohet me presidentin Vladimir Vuçiq dhe kryeministren Ana Brnabiq.

Stoltenberg do të angazhohet gjithashtu me shkencëtarë serbë të cilët do të prezantojnë teknologjinë e zhvilluar në kontekstin e projekteve të NATO-s Shkenca për Paqe dhe Siguri.

Po ditën e martë, Stoltenberg do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut për t’u takuar me presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin, Dimitar Kovaçevski dhe  kryetarin e Kuvendit të, Talat Xhaferi, ku do të mbajë dhe një fjalim para Kuvendit.

Ditën e mërkurë, Sekretari i Përgjithshëm do të marrë pjesë në një takim me liderët aleatë nga rajoni, ku të ftuar për të marrë pjesë janë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç; Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq; dhe Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme