Sekuestrohet mish pa certifikatë në Shkodër, AKU kryen kontrolle pas rasteve me murtajë në qark

Aktualitet | 1 vit më parë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Qarkun Shkodër ka zhvilluar kontrolle në 30 subjekte të tregtimit të mishit, nga të cilat katër kanë rezultuar me probleme në dokumentacion dhe cilësi.

“Janë marrë masat tona të nevojshme deri në bllokim të aktivitetit për katër subjekte. Është bllokuar një sasi mishi rreth 124 kg. Janë marrë masa administrative për shkelje të dispozitave ligjore, mashtrim të konsumatorit dhe masë për bllokim të subjekteve për kushtet higjieno-sanitare.

Në Qarkun Shkodër janë monitoruar dhe kontrolluar rreth 30 subjekte tregtim-mishi, përpunim-mishi dhe pikëshitje,” informoi Ramir Haderi, drejtori rajonal i AKU Shkodër.

Ai tha se qëllimi është ndalimi i përhapjes së mëtejshme të sëmundjes së murtajës tek dhentë, ndaj në bashkëpunim me institucionet e tjera po zhvillohen kontrolle në rrugë, tregje dhe pika kufitare.

Për momentin fokusi i AKU-së në Shkodër është tek tregtimi i mishit për shkak të përhapjes së murtajës tek dhentë në disa qytete të vendit, por në të njëjtën kohë vijon puna edhe për sigurinë ushqimore përgjatë këtij sezoni turistik, me kontrollin e subjekteve të ndryshme në qarkun e Shkodrës.

Gazetare: Merisa Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme