SHBA akuzon Rusinë për përshkallëzim të rrezikshëm të luftës në Ukrainë

Botë | 10 muaj më parë

Shtetet e Bashkuara akuzuan Rusinë për një “përshkallëzim të rrezikshëm” të luftës në Ukrainë, pas sulmeve të reja të Moskës ndaj infrastrukturës energjetike dhe civile në Kiev, pavarësisht negociatave të vazhdueshme të udhëhequra nga SHBA për t’i dhënë fund konfliktit.

Zëvendësambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Tammy Bruce, tha në një seancë emergjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork se veprimet e Rusisë rrezikojnë zgjerimin dhe intensifikimin e luftës, ndërsa SHBA vazhdon të punojë me Ukrainën, Evropën dhe Rusinë për të arritur një paqe të negociuar.

Bruce dënoi Rusinë për sulmet e përsëritura me raketa dhe dronë ndaj objekteve energjetike të Ukrainës, duke përfshirë lëshimin e raketës balistike “Oreshnik” me kapacitet bërthamor, që goditi një zonë të Ukrainës pranë kufirit me Poloninë dhe NATO-n.

“Këto sulme janë tallje me kauzën e paqes, një kauzë me rëndësi parësore për botën dhe për presidentin Trump. Ajo që dua t’i kujtoj Federatës Ruse është vota e saj në favor të Rezolutës 2774 të Këshillit të Sigurimit, gati një vit më parë. Ajo rezolutë kërkonte një fund të shpejtë të konfliktit dhe paqe të qëndrueshme. Do të ishte mirë sikur Rusia t’i përputhte fjalët me veprimet”, tha Bruce.

Misioni i Monitorimit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Ukrainë (HRMMU) njoftoi të hënën se viti 2025 ishte viti më vdekjeprurës për civilët që nga pushtimi në shkallë të plotë i Rusisë në 2022.

Në raportin e dhjetorit, HRMMU tha se të paktën 2,514 civilë u vranë dhe mbi 12 mijë u plagosën në Ukrainë në 2025, një rritje e ndjeshme krahasuar me dy vitet e mëparshme.

Sulmet me raketa dhe dronë me rreze të gjatë nga forcat ruse përbënin një pjesë të madhe të viktimave, shpesh duke goditur zonat urbane larg vijave të frontit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të martën se Rusia lëshoi gati 300 dronë sulmues, 18 raketa balistike dhe 7 raketa lundruese ndaj Ukrainës, duke synuar rajonet Dnipro, Zhytomyr, Zaporizhzhia, Kiev, Odesa, Sumy, Kharkiv dhe Donetsk.

Ai tha se katër persona u vranë në Kharkiv pas goditjes së një rakete në një terminal postar.

Presidenti ukrainas shkroi në mediat sociale se Kievi po vazhdon bisedimet intensive me partnerët amerikanë dhe evropianë, duke përfshirë përgatitjen e dokumenteve për garancitë e sigurisë nga SHBA dhe planet për rindërtim.

Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, i tha Këshillit të Sigurimit se vendi i tij kurrë nuk i është larguar dialogut dhe sipas tij derisa Zelensky “të vijë në vete dhe të pranojë kushtet realiste për negociata, ne do të vazhdojmë të zgjidhim problemet me mjete ushtarake”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme