SHBA, BE dhe Mbretëria e Bashkuar nisin drejt Ukrainës Grupin Këshillues për Krimet e Mizorive

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka bërë me dije se SHBA së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe BE kanë nisur drejt Ukrainës Grupin Këshillues për Krimet e Mizorive.
Në mesazhin e shpërndarë në faqen e Facebook nga ambasada amerikane, Blinken thekson se nisma do të mbështesë drejtpërdrejt përpjekjet e Njësive për Krimet e Luftës të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës (OPG) për të dokumentuar, ruajtur dhe analizuar provat e krimeve të luftës dhe mizorive të tjera të kryera në Ukrainë, me synim ndjekjen penale.
“Ndërsa nisim këtë iniciativë, Departamenti i Shtetit do të vazhdojë të punojë ngushtë me Departamentin e Drejtësisë dhe partnerë të tjerë për të mbështetur ndjekjen e drejtësisë dhe llogaridhënies. Siç e bën të qartë deklarata e përbashkët e fundit e lëshuar nga Prokurori i Përgjithshëm dhe homologët e tij ndërkombëtarë, ne jemi të bashkuar anembanë globit në vendosmërinë tonë për të mbajtur përgjegjës autorët.
Dëshmitë e mizorive nga anëtarët e forcave ruse në Ukrainë vazhdojnë të shtohen. Fillimisht, kjo dhunë mori formën e bombardimeve dhe sulmeve me raketa dhe artileri, duke goditur qytete dhe qyteza me popullsi të dendur, duke shkaktuar mijëra vdekje civile dhe shkatërrim të infrastrukturës civile. Më vonë, kur gazetarët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe zyrtarët ukrainas arritën në zonat pas tërheqjes së forcave ruse, ne pamë raporte për dhunë të një rendi tjetër – raporte të besueshme të civilëve të paarmatosur të qëlluar pas shpine; individët e vrarë në stilin e ekzekutimit me duar të lidhura; trupat që tregojnë shenja torture; dhe rrëfime të tmerrshme të dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave. Kohët e fundit, raporte të besueshme po dalin për fëmijë ukrainas të transferuar me forcë jashtë vendit”, thotë Blinken.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



