SHBA: Na duhen vetëm 4-6 javë që të shkatërrojmë ushtarakisht Iranin

Amerikë | 8 muaj më parë

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt ka bërë të ditur sot se Shtetet e Bashkuara presin që t’i arrijnë objektivat e Operacionit “Epic Fury” kundër Iranit brenda 4 deri në 6 javë.

Sipas saj, objektivat kryesore të operacionit janë: Shkatërrimi i programit të raketave balistike të Iranit, shkatërrimi i marinës iraniane, sigurimi që Irani të mos mund të krijojë kurrë armë bërthamore dhe ndalimi i mbështetjes së Teheranit për grupet e armatosura proxy në rajon (si Hezbollah dhe Houthis).

Leavitt tha se në vetëm gjashtë ditë, SHBA ka fundosur më shumë se 30 anije të marinës iraniane, duke e bërë atë “joefektive në luftime”.

Ajo shtoi se sulmet balistike hakmarrëse nga Irani janë ulur me 90%, ndërsa Hezbollah dhe Houthis “vështirë se kanë bërë rezistencë” gjatë kësaj periudhe.

Për të ardhmen e Iranit, Leavitt theksoi se “është në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara që Irani të mos udhëhiqet më nga një regjim radikal terrorist”.

Sipas zëdhënëses Leavitt, presidenti amerikan Donald Trump, po sheh me interes për të përcaktuar se kush do të jetë udhëheqësi i ardhshëm i Iranit dhe po diskutohet si çështje.

Operacioni ushtarak, i nisur në fund të shkurtit 2026 ka përfshirë mijëra sulme ajrore dhe goditje të synuara ndaj infrastrukturës ushtarake iraniane, me mbështetje nga aleatë si Izraeli.

Ndërkaq, konflikti vazhdon të përshkallëzohet, me evakuime të qytetarëve amerikanë nga rajoni dhe paralajmërime për pasoja të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme