SHBA ndalon vizat për studentët kinezë, Pekini kritikon ashpër vendimin e administratës Trump

Të rinjtë kinezë që studiojnë në universitetet amerikane u shprehën të shqetësuar pasi Uashingtoni paralajmëroi revokimin e vizave studentore për shtetasit e vendit aziatik dhe urdhëroi të gjitha misionet diplomatike jashtë Shteteve të Bashkuara të pezullonin caktimin e intervistave të reja për viza studentore.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se kjo masë përfshin ata që kanë lidhje me Partinë Komuniste Kineze ose që studiojnë në fusha të konsideruara kritike për sigurinë kombëtare. Ai shtoi se SHBA do të rrisë verifikimet e sigurisë për të gjitha aplikimet e reja për viza nga qytetarët e Kinës dhe të Hong Kongut. Marrëdhëniet midis Pekinit dhe Uashingtonit janë përkeqësuar ndjeshëm në muajt e fundit, ndërsa mes dy superfuqive ekonomike shpërtheu një luftë tregtare, e shkaktuar nga tarifat e presidentit Trump.
Vitin e kaluar në SHBA studionin rreth 280 mijë studentë kinezë, por mbetet ende e paqartë se sa prej tyre mund të preken nga lëvizja e fundit e administratës Trump. Pekini, duke kritikuar ashpër deklaratën e sekretarit Rubio, e cilësoi atë të paarsyeshëm dhe i kërkoi administratës amerikane të angazhohet për marrëdhënie më konstruktive mes dy vendeve. Shtetasit kinezë përbënin pjesën më të madhe të studentëve ndërkombëtarë të regjistruar në universitetet amerikane, megjithëse numri i tyre ka rënë që nga koha e pandemisë së COVID19, por edhe pas përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




