SHBA, ndihma të reja për Kievin

Botë | 2 vite më parë

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes njoftoi një pako të re ndihme ushtarake për Ukrainën me vlerë rreth 125 milionë dollarë. Ndihma e fundit ushtarake përfshin raketa të mbrojtjes ajrore, municione për sistemet raketore, raketa antitank, sisteme dhe pajisje antidronë. 
Presidenti Biden tha se ndihma e re vjen në vijim të një sërë hapave historikë që SHBA ka ndërmarrë me aleatët dhe partnerët e saj në muajt e fundit për të mbështetur Kievin. Biden theksoi sërish se këto vende do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah Ukrainës në çdo hap. 
Ndërsa Ukraina feston Ditën e Pavarësisë, forcat e saj ushtarake vazhdojnë të zgjerojnë sulmet në territorin rus, ku sipas tyre kanë marrë rreth 100 kilometra katrorë territor në rajonin e Kurskut. 
Trupat ruse, ndërkohë thonë se po përparojnë në rajonin Donjeckut në Ukrainën lindore, rreth qytetit të Pokrovskit, një qendër e rëndësishme logjistike për ushtrinë ukrainase. Në fjalimin për Ditën e Pavarësisë, presidenti ukrainas kërkoi sërish përshpejtimin e ndihmës mbrojtëse, duke theksuar se mbërritja e dërgesave me armatime në kohë i shërben mbështetjes së ushtarëve në vijën e parë të frontit. “Unë jam krenar për të gjithë ata që mbrojnë shtetin dhe pavarësinë tonë. Sot është dita e Harkivit, një qytet vërtet heroik. Ne do të bëjmë gjithçka për të rivendosur sigurinë e plotë”- u shpreh Zelensky. 
Ndërkohë Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj më shumë se 400 kompanive dhe individëve për shkak të mbështetjes së luftës ruse në Ukrainë. Departamenti i Shtetit njoftoi se mes të sanksionuarve ka edhe firma kineze, që sipas Shteteve të Bashkuara po ndihmojnë Moskën t’u shmanget sanksioneve të Perëndimit dhe të forcojë ushtrinë e saj. Departamenti amerikan i Thesarit tha se vendosi sanksioneve edhe ndaj rrjeteve ndërkombëtare të përfshira në shitjen e municionit dhe materialeve të tjera të cilat mbështesin  zinxhirët e furnizimit të industrisë së ushtrisë ruse.

Gazetare Vjollca Zharri
 
/ rtsh.al /

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme