SHBA: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, jetik për stabilitetin e Ballkanit

Kosovë | 2 muaj më parë

SHBA mbetet e përkushtuar ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe interesave të Kosovës, ndërsa normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e konsiderojnë thelbësor për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Kështu deklaroi zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për çështjet evropiane, Daniel Lawton, gjatë një dëgjese para Nënkomisionit për Evropën të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.

Lawton theksoi se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mbetet një prej prioriteteve të politikës së jashtme amerikane në rajon.

“SHBA-të kërkojnë një Ballkan Perëndimor me paqe dhe prosperitet. Ne po ndjekim marrëdhënie pozitive me aktorët në rajon për të ruajtur stabilitetin, për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe për të kundërshtuar kërcënimet ndaj SHBA-ve”, deklaroi ai.

Duke folur për Kosovën, zyrtari amerikan tha se Uashingtoni vazhdon të mbështesë integritetin territorial dhe interesat e saj, si dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

Ai përmendi gjithashtu mbështetjen amerikane për praninë e KFOR-it në Kosovë, duke theksuar se misioni i NATO-s mbetet i rëndësishëm për ruajtjen e një mjedisi të sigurt.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Lawton tha se procesi i normalizimit ka ngecur dhe u bëri thirrje të dyja palëve që të shmangin provokimet dhe të rikthehen në dialog.

“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është jetik për stabilitetin rajonal. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ka ngecur. U bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që t’i shmangin provokimet dhe t’i hyjnë diskutimeve pa parakushte”, tha Lawton.

Sipas tij, progresi i arritur përmes marrëveshjes së vitit 2020 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka stagnuar për shkak të mungesës së vullnetit politik nga të dyja palët.

Lawton theksoi ndërkohë se SHBA-ja po bashkëpunon ngushtë me aleatët e NATO-s në rajon, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në fushën e sigurisë.

Ai tha se politika amerikane në Ballkanin Perëndimor mbështetet në tri prioritete kryesore: ruajtjen e stabilitetit, avancimin e interesave ekonomike dhe forcimin e bashkëpunimit kundër organizatave kriminale dhe kërcënimeve të sigurisë.

Sipas Lawton, Uashingtoni synon një Ballkan Perëndimor paqësor dhe me prosperitet, ndërsa kërkon që vendet e rajonit të marrin më shumë përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve të tyre.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme