SHBA rrit tarifat ndaj Koresë së Jugut – Trump akuzon Seulin për shkelje të marrëveshjes tregtare

Botë | 9 muaj më parë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar rritjen e tarifave doganore për importet nga Koreja e Jugut në nivelin 25 për qind. Vendimi vjen pasi, sipas tij, Seuli nuk po zbaton plotësisht marrëveshjen tregtare të arritur vitin e kaluar. Në një reagim në rrjetet sociale, Trump bëri të ditur se tarifat do të rriten nga 15 në 25 për qind.

Masat prekin një gamë të gjerë produktesh, përfshirë automjetet, lëndën drusore dhe produktet farmaceutike. Ai tha se SHBA-të kanë ulur tarifat e tyre me shpejtësi, ndërsa parlamenti i Koresë së Jugut ka vonuar miratimin e marrëveshjes. Qeveria koreanojugore reagoi duke thënë se nuk ka marrë ende njoftim zyrtar për këtë vendim.

Seuli ka kërkuar bisedime urgjente me palën amerikane për të sqaruar situatën. Ministri i Industrisë pritet të udhëtojë drejt Uashingtonit për takime me autoritetet amerikane. Lajmi pati ndikim të menjëhershëm në tregjet financiare në Korenë e Jugut. Indeksi kryesor i bursës së Seulit fillimisht ra, por më pas u rikuperua gjatë ditës. Marrëveshja tregtare mes dy vendeve parashikon investime të mëdha koreanojugore në ekonominë amerikane. Trump vijon të përdorë tarifat doganore si mjet presioni në marrëdhëniet tregtare me partnerët ndërkombëtare.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme