SHBA tërheq 500 milionë dollarë fonde për zhvillimin e vaksinave

Amerikë | 1 vit më parë

Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore i SHBA-së do të anulojë kontratat dhe do të tërheqë fondet për disa vaksina që po zhvillohen për të luftuar viruset si COVID-19 dhe gripi.

Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., njoftoi se 22 projekte, me një total prej 500 milionë dollarësh, për të zhvilluar vaksina duke përdorur teknologjinë mRNA, do të ndalen.

Kennedy ka tërhequr rekomandimet rreth vaksinave kundër COVID-19, ka shkarkuar ekipin që bën rekomandime për vaksinat dhe ka refuzuar të ofrojë një mbështetje të vaksinimeve.

Ai kritikoi vaksinat mRNA duke shpjeguar vendimin për të anuluar projektet që drejtohen nga kompanitë kryesore farmaceutike të vendit, përfshirë Pfizer dhe Moderna, të cilat ofrojnë mbrojtje kundër viruseve si gripi, COVID-19 dhe H5N1.

“Për të zëvendësuar programet problematike të ARNi-së, ne po i japim përparësi zhvillimit të strategjive më të sigurta dhe më të gjera të vaksinimit, si vaksinat kundër të gjithë virusit dhe platformat e reja që nuk shemben kur viruset pësojnë mutacion”, tha Kennedy.

Ekspertët e sëmundjeve infektive thonë se teknologjia e ARNi-së e përdorur në vaksina është e sigurt dhe ata ia atribuojnë zhvillimit të saj gjatë administratës së parë Trump ngadalësimin e pandemisë së koronavirusit të vitit 2020. Ata paralajmëruan se pandemitë e ardhshme do të jenë më të vështira për t’u ndaluar pa ndihmën e ARNi-së.

“Nuk mendoj se kam parë një vendim më të rrezikshëm në shëndetin publik në 50 vitet e mia në këtë biznes”, tha Mike Osterholm, ekspert i Universitetit të Minesotës për sëmundjet infektive dhe përgatitjet për pandemi.

Ai vuri në dukje se teknologjia e ARNi-së ofron avantazhe të mundshme të prodhimit të shpejtë, thelbësore në rast të një pandemie të re që kërkon një vaksinë të re.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme