Shërbimet e-Albania, Balluku: Ndihma është falas në zyrat me një ndalesë, noterët dhe avokatët në shkelje të ligjit nëse marrin pagesë

Qytetarët që hasin vështirësi në përdorimin e platformës digjitale e-Albania tashmë mund të marrin ndihmë falas në zyrat e posaçme “me një ndalesë” që janë hapur nga bashkitë në të gjithë vendin.
Këtë njoftim e bëri të hënën zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila paralajmëroi se çdo pagesë për këto shërbime është në shkelje të plotë të ligjit.
Gjatë një vizite në qytetin e Patosit, ku inspektoi funksionimin e një prej këtyre zyrave, Balluku u bëri thirrje qytetarëve të paraqiten për asistencë falas. Ajo theksoi se këto zyra janë krijuar posaçërisht për të ndihmuar moshat e treta dhe ata që hasin vështirësi me teknologjinë.
Në këto pika shërbimi ofrohen të gjitha shërbimet e platformës, përfshirë ato që lidhen me marrjen e letërnjoftimeve dhe pasaportave nga IdentiTek, si dhe shërbime të Postës Shqiptare dhe të bashkive.
“Të gjitha shërbimet e e-Albania ofrohen falas nëpërmjet zyrave me një ndalesë,” theksoi Balluku. “Çdo zyrë avokatie apo noterie që ofron këto shërbime me pagesë është në shkelje të plotë të ligjit.”
Këto zyra synojnë të lehtësojnë aksesin në shërbimet digjitale për të gjithë, duke ndihmuar në mënyrë të veçantë ata që hasin vështirësi teknologjike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




