Shërbimet sociale, nga kujdesi te fuqizimi, më shumë vëmendje edhe për kujdesin dentar të fëmijëve me autizëm
Këtu nuk flitet thjesht për shërbime sociale. Flitet për fëmijë që kanë nevojë të mësojnë të jetojnë sa më të pavarur, për prindër që kërkojnë mbështetje dhe për të moshuar që kanë nevojë për më shumë kujdes.
Nga një prej qendrave të përkujdesit social, ministrja e Shëndetësisë ka parë nga afër kushtet dhe ka biseduar me drejtuesit, prindërit dhe fëmijët.
“Do jetë si shtëpi familje ajo tjetra. Nuk do jetë si institucion i mbyllur. Kjo është qasja e re”, u shpreh ministrja Spahiu.
Por përtej kushteve të një qendre të veçantë, sfida është që shërbimet të lidhen me njëra-tjetrën. Në takimin me drejtuesit e 28 institucioneve të përkujdesit social, Klodiana Spahiu kërkoi më shumë koordinim në shërbimet shëndetësore, veçanërisht për të depistuar dhe identifikuar në kohë problemet tek fëmijët dhe të moshuarit.
“Ju jeni atje në çdo institucion, të gjithë ju i trajtoni shumë mirë dhe i trajtoni sikur t’i keni të afërmit dhe familjarët tuaj. Janë përballur në situata që s’duhet të përsëriten”, tha ajo.
Nga klinika Stomtalogjike Universitare kërkoi që në koordinim me njësitë vendore dhe njësitë rezidenciale, të vihen në fokus nevojat për shërbime dentare të fëmijëve me çrregullim të spektrit autik të cilat sot përballohen me shumë vështirësi në sektorin privat.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




