Shërbimi zjarrfikës në ndihmë të të moshuarve/Në Korçë janë shpeshtuar ndërhyrjet te personat që jetojnë vetëm
Shërbimi zjarrfikës nuk ndërhyn më vetëm në raste zjarresh apo emergjencash. Në Korçë, efektivët po përballen gjithnjë e më shpesh edhe me raste të të moshuarve që jetojnë të vetëm dhe kanë nevojë për ndihmë. Shefi i shërbimit tregon se kanë pasur disa ndërhyrje pas telefonatave të ardhura nga të afërm, të cilët nuk kanë mundur të komunikojnë me prindërit e tyre.
“Jemi përballur me hapjen e dyerve në katet e para, të dyta, të treta, si edhe në katet e sipërme, nga persona të cilët kanë pasur probleme me shëndetin dhe nuk hapnin dot dyert”, u shpreh Alfred Kalemas, Shefi i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi
Në disa raste, ndërhyrja në kohë ka qenë e rëndësishme, pasi personat e moshuar mund të kenë pasur probleme shëndetësore ose të kenë mbetur të pamundur për të hapur derën.
“Kanë tentuar të komunikojnë, por nuk u është përgjigjur njeri dhe kanë kërkuar ndihmën e shërbimit zjarrfikës, të cilën ne e kemi ofruar me sukses. Jemi përballur me një situatë ku kemi gjetur shumë persona të moshës së tretë në gjendje jo të mirë shëndetësore, por edhe persona pa shenja jete”, tha ai.
Fenomeni i të moshuarve që jetojnë vetëm po bëhet një shqetësim gjithnjë e më i madh, ndërsa familjarët që jetojnë larg tyre i drejtohen shërbimeve të emergjencës kur humbin kontaktet me të afërmit. Për zjarrfikësit, këto raste përbëjnë një tjetër formë shërbimi ndaj komunitetit, ku përveç ndërhyrjes në emergjenca, synohet edhe garantimi i sigurisë së personave më të pambrojtur.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




