Shije “Apenine” në jug, Katalonja, mjeshtri italian i kuzhinës i punësuar në Sarandë

Sociale | 2 vite më parë

Xhani Katalogna është italiani që ka gjetur veten duke u punësuar si Master Chef në një prej restoranteve të Sarandës. Kuzhina italiane është Profesioni dhe jeta e tij. Edhe ky sezon turistik e gjen atë në krye të stafit të kuzhinierëve në shërbim të turistëve.

Megjithëse shqipja e tij është e përzier me gjuhën amtare, Xhani arrin të na i përshkruaj rrugëtimin e tij në artin e kuzhinës italiane.

“Punoj kuzhinier në këtë restorant në bregdetin  e Sarandës. Profesionin e ushtroj për qejf pasi tashmë jam pensionist. Kaloj kohën më të madhe këtu. Këtë sezon e shikoj mirë në Sarandë pasi ka fluks të madh turistësh”, shprehet Xhani.

Pasioni për të përhapur kuzhinën italiane në Sarandë, nuk i jep luksin të shijojë si një turist detin apo atraksionet e Sarandës, kur ai mendon se ato që di të bëjë në artin e kulinarisë, mund t’i ofrojë falas për operatorë turistikë.

Si një master shef me përvojë të admirueshme, Xhani ta jep në pak minuta picën e nxjerrë nga furra e drurit. Sidomos pasteria është specialiteti ku ai e tregon veten si një “magjistar” kuzhine, i ardhur nga vendi ku gatimi i makaronave është një dashuri, pasion dhe shije identitare.

Për aftësinë dhe fantazinë e Master Chef Xhanit kanë nevojë klientët. Kanë nevojë edhe kuzhinierët e rinj. Anxhela është njëra prej tyre. “Kam 6 vjet që punoj këtu. Jemi me fat që e kemi mes nesh”, tha ajo.

Italiani Xhani ra në dashuri vite më parë me Sarandën. Këtu gjeti edhe bashkëshorten, e cila është ndarë nga jeta, duke ia lënë Xhanit rritjen dhe edukimin e dy vajzave të tyre.

RTSH

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme