Shkeli lejen e ndërtimit, konfiskohet pallati në Vlorë, Bici: Të njëjtin fat do të kenë të gjithë objektet me shkelje

Një pallat është konfiskuar në Vlorë, pasi rezultoi se kishte shkelur lejen e ndërtimit. Kryeinspektorja e Përgjithshme e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Dallëndyshe Bici ka paralajmëruar se të njëjtin fat do të kenë të gjithë objektet që kanë ndërtuar në shkelje të lejes së ndërtimit.
E pranishme në Vlorë, Bici tha se aksioni i IKMT-së do të shtrihet në të gjithë vendin për të inspektuar objektet me apo pa leje ndërtimi.
“Në vazhdën e kontrolleve, ky objekt do të konfiskohet dhe do t’i kalojë shtetit. Të njëjtin fat do të kenë të gjithë ato objekte që rezultojnë me leje ndërtimi, por që kanë ndërtuar në shkelje brutale të lejes së ndërtimit, duke cenuar interesin publik dhe pronën e përbashkët. IKMT do vijojë punën në të gjithë territorin për të inspektuar objektet me apo pa leje ndërtimi, me qëllim që të garantojmë respektimin e ligjit dhe interesin publik”, tha Bici.
Një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe që kanë zënë hapësirat publike, ka nisur në të gjithë vendin. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar të gjithë bizneset që t’i heqin vetë objektet nga hapësirat publike, duke paralajmëruar deri në ndjekje penale në rast të kundërt. Gjatë takimit sot me deputetët e Tiranës, Rama tha prerazi se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj ndërtimeve në shkelje të ligjit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



