Shkëmbimet tregtare me Kroacinë, INSTAT: Llogariten gati 4 miliardë lekë

Ekonomi | 5 vite më parë

Shkëmbimet tregtare me Kroacinë llogariten gati 4 miliardë lekë gjatë 5-mujorit të parë të këtij viti. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) gjatë periudhës janar-maj 2021, eksportet rezultuan 1.1 miliardë lekë nga 759 milionë lekë që ishin në 2020, ndërsa importet shkuan në 2.8 miliardë lekë nga 2.1 miliardë lekë që ishin vitin e mëparshëm.

Shqipëria eksporton drejt Kroacisë alumin, këpucë, peshk të përpunuar, perime, ndërsa importon kryesisht naftë, produkte të peshkut, transformatorë elektrikë dhe çokollata.

Fushat më me interes për bashkëpunim janë energjia, turizmi, inxhinieria mekanike, elektrike dhe elektronike, farmaceutike, ushqimore, tekstile e këpucë, dhe veçanërisht ndërtimi.

Kroacia është një nga shtetet më të rëndësishme në rajonin e Ballkanit, sidomos sepse është aksi që lidh Tiranën me Europën nëpërmjet rrugës tokësore.

Shqipëria dhe Kroacia janë pjesë e disa projekteve strategjike për rajonin, si korridori Adriatiko-Jonian, i ashtuquajtur edhe Korridori Blu, gazsjellësi IAP (Joniano-Adriatik), si edhe kanë një bashkëpunim të shtuar në fushën e turizmit dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.

Shqipëria paraqet edhe mundësi të mëdha për investime, pasi barra fiskale për investitorët e huaj është ndër më të ulëtat në rajon. Qeveria ka ngritur një agjenci (AIDA), e cila asiston çdo investitor të huaj që në hapat e parë.

Sipas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, ekziston një numër në rritje i kompanive kroate që investojnë apo kanë praninë e tyre fizike në Shqipëri, në fusha të tilla si industria, ndërtimi i fshatrave turistikë, marketingu dhe tregtia, këshillimet, teknologjia e informacionit, etj.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme