Siguri rrugore, kamera inteligjente dhe kontrolle kundër drogës- Policia prezanton planin për vitin e ri shkollor
Policia e Shtetit ka prezantuar planin e masave për garantimin e sigurisë gjatë vitit të ri shkollor. Masat shtrihen nga siguria fizike e nxënësve dhe kontrolli i territorit pranë shkollave, te parandalimi i bullizmit, siguria rrugore, kibernetike dhe ushqimore.
Gjatë një konference për mediat, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, deklaroi se në fokus do të jenë kontrollet brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë së shkollave, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e personave që tentojnë t’u afrohen institucioneve arsimore për përfshirjen e nxënësve në veprimtari kriminale, veçanërisht në lidhje me narkotikët. Sipas Hitajt, specialistët e sektorëve kundër narkotikëve dhe strukturave operacionale në 12 drejtoritë vendore të Policisë do të zhvillojnë kontrolle me intensitet të lartë në zonat pranë shkollave.
Një tjetër pikë e planit është siguria rrugore pranë institucioneve arsimore. Policia do të shtojë praninë gjatë orareve të hyrjes dhe daljes së nxënësve, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e lëvizjes së sigurt të fëmijëve.
Ndërkohë, Hitaj tha se strukturat e Policimit në Komunitet, të Dhunës në Familje, Krimeve Kibernetike dhe Policisë Rrugore do të zhvillojnë orë ndërgjegjësuese në shkolla. Temat do të përfshijnë bullizmin, dhunën psikologjike, rreziqet në hapësirën digjitale, përdorimin e drogës, duhanit dhe alkoolit, si dhe sigurinë rrugore.
“Policia do të bashkëpunojë gjithashtu me oficerët e sigurisë, mësuesit, psikologët, bordet e prindërve dhe qeveritë e nxënësve për evidentimin në kohë të problematikave”, tha ai.
Në kuadër të paketës së sigurisë, Hitja tha se Policia e Shtetit do të bashkëpunojë me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për kontrolle në bizneset që operojnë pranë shkollave.
“Kontrollet do të fokusohen te formaliteti i aktivitetit ekonomik, skadenca dhe përbërja e produkteve që konsumojnë nxënësit, si dhe kushtet higjieno-sanitare të ambienteve ku ato ruhen dhe tregtohen”, theksoi ai.
Një risi e këtij viti është përdorimi i teknologjisë në kuadër të projektit “Smart City”. Hitaj tha se në 20 shkolla janë vendosur kamera inteligjente për monitorimin dhe parandalimin e situatave që mund të cenojnë sigurinë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit se teknologjia do të ndihmojë në evidentimin më të shpejtë të problematikave dhe në reagimin e strukturave të Policisë.
“Teknologjia nuk zëvendëson punonjësin e Policisë. Ajo e bën më të shpejtë, më efikas dhe më të saktë punën e tij në terren”, u shpreh Hitaj.
Në krye të organizimit dhe kontrollit të shërbimeve në territor do të jenë shefat e komisariateve, të cilët do të kenë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për zbatimin e masave ndërsa Policia u bën thirrje nxënësve të mos heshtin në rastet e dhunës, bullizmit, kërcënimeve, shpërndarjes së narkotikëve apo përfshirjes së bashkëmoshatarëve në veprimtari kriminale, por të njoftojnë prindërit, mësuesit, psikologët, oficerët e sigurisë ose Policinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




