Shkulet basorelievi i Memorialit të Senicës, policia nis hetimet

Aktualitet | 1 orë më parë

Mëngjesin e sotëm, bazamenti i Memorialit të Besëlidhjes historike të Senicës është gjetur pa basorelievin e derdhur në bronz. Memoriali, i vendosur prej vitesh në qendër të fshatit Senicë, përjetësonte Besëlidhjen e 10 prillit 1770, të lidhur mes krerëve të jugut për një luftë të përbashkët kundër Perandorisë Osmane, duke lënë mënjanë mëritë, hasmëritë dhe përkatësitë fetare.

Kryetari i fshatit, Llambi Nika, ka denoncuar në Komisariatin e Policisë Delvinë shkuljen dhe marrjen e basorelievit. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.

Në fshatin Senicë ndodhet guri ku, sipas traditës historike, u lidh Besa 256 vite më parë. Ai përbën një monument natyror dhe historik të trashëgimisë kulturore.

Vite më parë, me iniciativën e banorëve të fshatit, kjo ngjarje e rëndësishme e qëndresës historike u përjetësua përmes një vepre arti të derdhur në bronz, realizuar nga skulptori vlonjat Zeqir Alizoti.

Krahas basorelievit, autorët kanë shkulur edhe një pllakë mermeri kushtuar dëshmorëve të fshatit.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim te banorët, ndërsa pritet që hetimet e policisë të përcaktojnë autorët dhe motivin e këtij akti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme