Shpallet fituesi për rrugën Milot–Balldren, Karakaçi: Nis ndërtimi i një aksi kyç në veri të vendit

Është shpallur fituesi për ndërtimin e aksit rrugor Milot–Balldren, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor që konsiderohet pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian dhe që pritet të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e qarkullimit në zonën veriore të vendit.
Lajmin e bëri të ditur Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili theksoi se ky aks shërben si një lidhje e rëndësishme mes veriut dhe pjesëve të tjera të Shqipërisë.
Sipas tij, procedura e prokurimit ka qenë komplekse, për shkak të disa tentativave të mëparshme të pasuksesshme, por tashmë është përmbyllur me shpalljen e fituesit që do të realizojë projektin.
“Kemi shpallur fituesin për rrugën Milot–Balldren. Ky është një aks i rëndësishëm, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian dhe shërben si lidhje e zonës së veriut me pjesët e tjera të Shqipërisë. Kjo është një rrugë e shumëpritur për lehtësimin e trafikut në këtë zonë. Procedura ka qenë jo e lehtë, pasi ka pasur disa tentativa të mëparshme që nuk kanë rezultuar të suksesshme. Sot kemi fituesin që do të bëjë të mundur ndërtimin e kësaj vepre”, tha Karakaçi.
Karakaçi bëri të ditur se ndërtimi i rrugës do të nisë sa më shpejt dhe brenda afateve të përcaktuara në kontratë, duke e cilësuar atë si një nga projektet kyçe për përmirësimin e infrastrukturës në veri të vendit.
Aksi Milot–Balldren është pjesë e Korridori Adriatiko-Jonian, i cili synon të rrisë lidhshmërinë dhe të lehtësojë lëvizjen e mjeteve në rajon.
“Ndërtimi i saj do të fillojë sa më shpejt dhe brenda afateve të përcaktuara në kontratë. Kjo është pjesë e projekteve të tjera infrastrukturore që qeveria do të kryejë në zonën veriore të Shqipërisë”, tha ministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




