Shqipëri – Itali, projekte të përbashkëta për rrjetën

Projektet e përbashkëta mes dy Federatave të Volejbollit, Shqipërisë dhe Italisë, jo vetëm për ekipet e të rriturve dhe të rriturave, por dhe për skuadrat e shkollave nga ku do të dalin lojtarët e së ardhmes, ka sjellë në Tiranë Xhuzepe Manfredin. Presidenti i Federatës italiane të Volejbollit ka qenë i shoqëruar nga zëvendëspresidenti i Federatës Europiane të rrjetës, Renato Arena, dhe ata janë pritur në një takim të posaçëm nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli. Madje është mbajtur dhe një konferencë e përbashkët për shtyp, atje ku është theksuar rëndësia e bashkëpunimit mes palëve për rritjen e nivelit të volejbollit shqiptar.
“Partneri më i mirë i Federatës Shqiptare të Volejbollit do të jetë Federata italiane e volejbollit, e cila ka ardhur me një qëllim për të ndihmuar Federatën Shqiptare të Volejbollit. Por njëkohësisht edhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, që së bashku me Federatën Shqiptare të Volejbollit ka një projekt madhor siç është projekti i ekipeve sportive në shkolla”, thotë Fidel Ylli.
“Ky lloj bashkëpunimi do të fokusohet në trajnimin e trupës tonë të trajnerëve, por pse jo dhe për sportistë të tjerë, të cilët mund të jenë talente dhe mund t’i atashohen ekipeve kombëtare italiane”, ka nënvizuar Erlind Pëllumbi.
“Sipas mendimit tim është shumë e rëndësishme të ndihmosh të gjithë palët që të rriten nga pak në nivel, Duhet të bësh një ecje të përbashkët për t’u përmirësuar në të gjitha nivelet. Dhe kjo është e rëndësishme dhe për Italinë, sepse jemi të bindur që nëse rritet në nivel Shqipëria, apo dhe të tjerët, atëherë rritet niveli i të gjithëve. Dhe kjo na ndihmon në përgjithësi. Kemi nevojë të përballemi me të gjithë në nivele të larta. Jemi këtu për të çuar përpara të gjitha projektet që volejbolli shqiptar ka”, ka nënvizuar Manfredi
E në kuadrin e projektit në shkolla, të paktën sipas presidentit të KOKSH, Fidel Ylli, për volejbollin javën e ardhshme do të jetë dhe një takim në zyrat e Federatës Europiane në Luksemburg.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




