Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar forcojnë bashkëpunimin kundër emigracionit të paligjshëm dhe frontet kundër krimit

Policia e Shtetit dhe partnerët britanikë konfirmojnë forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit strategjik, duke e kthyer task-forcën kundër migracionit të paligjshëm, në një model të suksesshëm ndërinstitucional, me rezultate konkrete dhe të matshme.
Gjatë takimit ndërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, dhe zëvendësambasadores së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, znj. Julia Sutherland, u theksua se bashkëpunimi i deritanishëm ka sjellë ulje drastike të rasteve të emigracionit të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, si dhe goditje të rëndësishme ndaj krimit të organizuar.
Drejtori Hita vlerësoi partneritetin e ngushtë dhe pa barriera me agjencitë ligjzbatuese britanike.
“Ky është një partneritet i konsoliduar, me rezultate konkrete. Policia e Shtetit mbetet një partner i besueshëm dhe aktiv në garantimin e sigurisë, brenda dhe jashtë vendit”, tha Hita.
Bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve po avancon edhe në fusha të tjera, si Policia Shkencore, teknologjia e informacionit dhe kontrolli në kufij, duke goditur tentativa për trafik armësh, pastrim parash dhe futje të paligjshme të kapitaleve.
Nga ana e saj, zëvendësambasadorja Sutherland theksoi se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të vijojë të zgjerohet, duke e konsideruar atë një shembull konkret të shkëmbimit të ekspertizës dhe besimit të ndërsjellë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




