Shqipëria, fund me humbje në kualifikuese

Shqipëria i ka mbyllur me humbje kualifikueset e Kampionatit Europian në volejboll për meshkuj. Pikërisht në ndeshjen e fundit, e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar nga salla olimpike “Feti Borova”, kuqezinjtë e Jani Melkës janë mundur nga Rumania, 0-3. 13-25 seti i parë. 19-25 i dyti dhe 17-25 i treti. Në përfundim të ndeshjes për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar kanë ardhur trajneri i Shqipërisë, Jani Melka, dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, që kanë deklaruar se do të ketë një analizë të gjërë për situatën e krijuar në kampin kuqezi
“Urime për Rumaninë që u kualifikua më tej, sepse e meritoi vendin e parë dhe më tej suksese në finalet e Europiani. Ishte një ndeshje që nuk ka nevojë për shumë koment, kjo dhe për shkak të rezultatit. Ana psikologjike gabime, të cilat priteshin. Bëmë një skemë të re me dy lojtarë, që do të jenë bazë e kombëtares së të rinjve në Ballkaniadë në shtator. Përfundoi një sezon i gjatë që ka nisur në maj. I pari na dha shpresë për të ardhmen, I dyti pati boshllëqe dhe problemet dilnin çdo ditë e shtoheshin. Sukseset nuk ti fal njeri, por duhet t’i marrësh. Federata Shqiptare e Volejbollit na krijoi kushtet. Na dha topin dhe fushën e tha luani tani. Por nuk e kapëm situatën si duhet, ndërsa kërkohet një analizë e thellë për të parë të gjitha problemet”, thotë në përfundim të ndeshjes trajneri Melka.
“Në përgjithësi e kënaqshme. Ndeshjet e gushtit ishin për t’u harruar. Kishim të tjera pritshmëri, aq më tepër që kemi shtatë vite që investojmë në këtë grupi. Analizë të thelluar bashkë me stafin për të parë ku janë problemet dhe më pas do të nxjerrim konkluzionet. Të jemi kompetitiv në aktivitetet në vazhdim”, ka nënvizuar i pari i volejbollit shqiptar, Erlind Pëllumbi
Ndërkohë trajneri i Rumanisë, Sergiu Stancu, do të pohonte se janë të kënaqur me kualifikimin në fazën finale të Europianit 2023.
“Shumë e rëndësishme që Rumania u kualifikua për më tej. Më duhet të falënderoj të gjithë skuadrën për punën që ka bërë. Le të festojmë këtë sukses dhe më pas të mendojmë për Europianin, që sigurisht do të jetë i vështirë. Ne do të mundohemi që të paktën të kalojmë fazën e grupeve në finale. E theksoj dhe një herë, e rëndësishme ishte kalimi në fazën finale të Europianit”.
Dhe me një fitore e pesë humbje. Shqipëria i jep fund kualifikueseve të Europianit 2023.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




