Të pranishëm në homazhet për Atin e Shenjtë, Begaj: Lamtumirë Papa Françesku. Hasani: Udhëheqës i paqes

Presidenti Bajram Begaj ishte sot (26 prill) i pranishëm në ceremoninë mortore të Papa Françeskut, ku i ka dhënë lamtumirën Atit të Shenjtë. Në një postim në Facebook, Begaj ka vlerësuar lidhjen e veçantë që Ati i Shenjtë pati me Shqipërinë dhe kombin shqiptar gjatë gjithë papatit të tij. Begaj ka theksuar kontributin e Papa Françeskut për njohjen dhe lartësimin e figurave dhe historisë së krishterimit shqiptar, si dhe për forcimin e lidhjeve shpirtërore mes Vatikanit dhe shqiptarëve.
“Lamtumirë, Papa Françesku! Papa që zgjodhi Shqipërinë si vendin e parë evropian për ta vizituar më 21 shtator 2014, shpalli Shenjte Nënë Terezën më 4 shtator 2016, nënshkroi dekretin për lumnimin e 38 martirëve të parë shqiptarë të komunizmit më 5 nëntor të po atij viti, duke shtuar edhe dy të tjerë më 16 nëntor 2024, si dhe ngriti Dioqezën e Prishtinës dhe të Prizrenit”, shkruan Bajram Begaj.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, i cili po ashtu ishte pjesë e delegacionit zyrtar shqiptar që mori pjesë në ceremoninë mortore të Papa Françeskut në Sheshin e Shën Pjetrit, vlerësoi Atin e Shenjtë si një figurë të jashtëzakonshme frymëzimi, përulësie dhe shërbimi ndaj njerëzimit.
“Sot, në Vatikan, i japim lamtumirën Atit të Shenjtë, një udhëheqësi të paqes dhe një njeriu me dashuri dhe shërbim të jashtëzakonshëm për njerëzimin. Papa Françesku dëgjoi me zemër, qëndroi pranë më të brishtëve dhe udhëhoqi me shembull gjithmonë duke zgjedhur forcën e butë të mëshirës dhe fuqinë e heshtur të përulësisë. Trashëgimia e Tij shpirtërore do të mbetet e gjallë në zemrat e miliona njerëzve për brezat që vijnë. Me lutje dhe mirënjohje nga Shqipëria, nderojmë kujtimin e Tij të paharruar”, shkruan Hasani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




