Shqipëria nën “lupën” e Hollivudit, gjigantët e filmit e eksploruan si destinacion për xhirime
Pak ditë më parë, disa nga përfaqësuesit kryesorë të gjigantëve të industrive më të mëdha të filmit në Hollivud, si HBO, Warner Bros, Amazon, Disney, Paramount, NBC Universal dhe CBS, vizituan disa qytete të Shqipërisë, duke e vendosur vendin tonë nën “lupën” e prodhimeve ndërkombëtare.
Kjo vizitë ishte pjesë e një turi “familjarizues” (FAM), ku producentë dhe drejtues të rëndësishëm të industrisë filmike vlerësuan potencialin e Shqipërisë si destinacion për xhirime.
Përfaqësuesit e këtyre industrive gjigante lëvizën në qytete si Tirana, Berati, Gjirokastra, Saranda dhe Porto-Palermo e Butrinti, ku panë nga afër jo vetëm trashëgiminë e pasur kulturore, por edhe zhvillimet moderne që po e bëjnë Shqipërinë një destinacion atraktiv për produksionet e mëdha filmike.
Megjithëse Shqipëria ka ende disa sfida infrastrukturore dhe ligjore për t’u përballur, ekspertët e industrisë e konsiderojnë plotësisht të mundur që Shqipëria të bëhet një vend i preferuar për xhirime me buxhet të lartë.
“Kishim një përfaqësim të gjerë nga industria e filmit hollivudian. Pothuajse 20 të ftuar ishin këtu. Disa ishin producentë të pavarur, që merren me reklama dhe filma të pavarur, filma artistikë. Pra, kishte një gamë të gjerë nga projekte të vogla e të pavarura deri te projekte të mëdha me buxhet të lartë nga studiot e Hollivudit. Në industrinë tonë, këtë lloj udhëtimi e quajmë një tur FAM, që do të thotë “familjarizues”.
Qëllimi i tij është të ndihmojë producentët dhe drejtuesit për t’u njohur me një vend ku nuk kanë qenë më parë. Ata bëjnë një vizitë me synimin për të parë cilat janë vendndodhjet e ndryshme ku mund të xhirojnë, çfarë infrastrukture ka në dispozicion, nëse ka studio zëri, ambiente për trajnim, pajisje me qira, si edhe hotele dhe restorante që mund të përballojnë një grup të madh njerëzish dhe aktorësh kur vijnë për një projekt”, tha Philip Gilpin Jr., drejtor ekzekutiv i Catalyst Story Institute.
Por si e zbuluan Shqipërinë gjigantët e filmit?
“Shqipëria ishte i vetmi vend që ata vizituan nga Ballkani. Ata kaluan shtatë ditë këtu dhe panë gjithçka përreth këtyre vendeve. Panë një pjesë të historisë antike dhe një pjesë të historisë së re që po ndërtohet tani. Dhe ishte një përvojë fantastike, pra Shqipëria ishte ylli i shfaqjes.
Ata e zbuluan Shqipërinë përmes organizatës sonë. Unë jam CEO i Institutit Catalyst History. Ne jemi një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA që fokusohet në edukim dhe ndihmon në prodhimin dhe interpretimin televiziv. Unë kam punuar në këtë industri për mbi 20 vjet. Dhe rreth gjashtë muaj më parë, telefonova disa miq dhe i pyeta nëse do të donin të vizitonin. Ata ftuan edhe miqtë e tyre”, u shpreh z. Gilpin.
Ky prezantim i Shqipërisë është një shenjë pozitive për ekonominë dhe për promovimin ndërkombëtar të vendit, duke hapur dyert për projekte të mëdha filmike që mund të sjellin punësim, investime dhe zhvillim kulturor. Kështu e cilësuan edhe kryeministri Edi Rama si dhe Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja ardhjen në Shqipëri të përfaqësuesve të gjigantëve të industrisë së filmit.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




