Karakaçi në Konferencën e Energjisë në Athinë: Shqipëria po bëhet qendër energjetike e rajonit

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ishte pjesë e Konferencës së Energjisë të organizuar nga Financial Times në Athinë, një event i përvitshëm ku mblidhen ministrat e energjisë nga rajoni dhe më gjerë.
Në fjalën e tij, Karakaçi theksoi se pjesëmarrja në këtë panel ishte një mundësi e veçantë për të ndarë përvojat dhe sfidat e vendeve fqinje, por edhe për të prezantuar arritjet e Shqipërisë.
Ai u shpreh se “ishte kënaqësi e veçantë të isha në një panel me ministrat e energjisë së rajonit, ku patëm mundësi të diskutonim mbi sfidat dhe arritjet e secilit nga vendet tona.”
Në vijim, ministri vuri në dukje rëndësinë e interkonjeksionit energjetik dhe pozicionimin e Shqipërisë në këtë fushë.
Ai theksoi se vendi është i lidhur mirë me rrjetet e transmetimit të energjisë me fqinjët, duke përmendur projektin me Maqedoninë e Veriut që është mbi 90% i përfunduar, si dhe planet për linjën e interkoneksionit me Italinë.
“Shqipëria është shumë mirë e pozicionuar me ndërlidhjet e transmetimit me të gjitha vendet fqinje. Prezantova edhe projektet për linjën e interkoneksionit me Italinë,” tha ai.
Një tjetër pikë e rëndësishme e fjalës së Karakaçit ishte partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai nënvizoi se marrëveshjet e fundit e kthejnë Vlorën në një qendër të rëndësishme për rajonin në fushën e gazit natyror.
“Dy marrëveshjet e nënshkruara para dy javësh transformojnë Vlorën në një qendër gravitacionale për rajonin. Shqipëria prodhon 100% energji nga burimet e rinovueshme dhe ka aftësinë të përthithë kapacitete nga gazi natyror pa cenuar targetet e BE-së,” deklaroi ministri.
Ai ndali edhe tek diversifikimi i burimeve të rinovueshme, duke theksuar se falë politikave të qeverisë dhe investimeve private, Shqipëria ka kaluar nga një vend që prodhonte vetëm energji hidro në një vend ku mbi 10% e prodhimit vjen nga energjia fotovoltaike.
“Kjo është rezultat i ankandeve të zhvilluara dhe investimeve private në sektorin fotovoltaik,” shtoi Karakaçi.
Gjatë konferencës, ministri zhvilloi një takim bilateral me homologun grek, ku u diskutua për projektet e përbashkëta energjetike.
Ai theksoi rëndësinë e një linje të dytë interkoneksioni mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke e cilësuar si një projekt me vlerë të veçantë për zhvillimet e energjisë së rinovueshme.
“Diskutuam për interkonjeksionin e ri mes Shqipërisë dhe Greqisë. I bëra ftesë ministrit grek për bashkëpunim edhe në kuadër të bursës shqiptare të energjisë elektrike,” tha Karakaçi.
Në fund, ai vuri në dukje zhvillimin e bursës shqiptare të energjisë, e cila sipas tij ka shënuar rritje të ndjeshme në volumet e tregtimit.
“Bursa shqiptare e energjisë ka marrë një zhvillim shumë të madh përsa i përket volumeve. Bashkëpunimi me bursën greke ka qenë një element kyç për sigurinë në operim dhe efikasitetin e transaksioneve,” përfundoi ministri.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




