Shqipëria zgjidhet anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB

Shqipëria zgjidhet anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit OKB për vitin 2022-2023. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme. Vetë ministrja zonja Olta Xhaçka shkruan në rrjetet sociale se ky është një moment historik i marrëdhënieve 65 vjeçare të Shqipërisë me OKB
Mësohet se në votim morën pjesë 190 vende, ndërsa Shqipëria u mbeshtet nga 175 vende anëtare të OKB.
Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 65 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë. Shqipëria e merr mandatin në janar të vitit 2022. Këshilli i Sigurimit në OKB është ndër organet më të rëndësishme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes të kombeve. Ai përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina që kanë të drejtë vetoje si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar. Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në garë, pa konkurentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Për t’u zgjedhur, secilës prej tyre i duhej të siguronte dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Votimi ishte i fshehtë. Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka qënë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




