Shqyrtohet në Kushtetuese padia e PD për Rregulloren e Kuvendi, Bardhi: Gjithçka ndodhi për 1 orë, na u mohua e drejta për amendamente

Në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohet sot padi e PD-së për shfuqizimin e ndryshimeve të bëra në Rregulloren e Kuvendit. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha gjatë seancës se deputetëve të opozitës iu mohua e drejta për të propozuar amendamente në lidhje me ndryshimet e propozuara në Rregulloren e Kuvendit, pasi i gjithë procesi u krye brenda 1 orë, duke mos i dhënë atyre kohë.
“Procesi ligjvënës është një kapitull i posaçëm në Kushtetutë sepse lidhet me disa të drejta qoftë deputetit, qoftë qytetarëve. Jo më kot Kushtetuta lejon shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të një akti, por jo më parë sesa një javë nga fillimi i shqyrtimit sepse deputetët duhet të njihen me çfarë po votojnë dhe e kanë të drejtë të ndërmarrin iniciativë ligjvënëse që përfshinë qoftë propozimin e akti të ri në Kuvend, apo amendamenteve për një akt të dorëzuar në Kuvend. Në rastin konkret, duke qenë që procesi ligjvënës parlamentar ka ndodhur për 1 orë, nga momenti i miratimit të kërkesës me procedurë të përshpejtuar nga kërkuesit, nga ndërprerja e seancës plenare nga mbledhja e Këshillit të Rregullores së Mandateve, nga votimi në parim nen për nen dh enë tërësi, i gjithë procesi ka ndodhur për një orë dhe asnjë nga deputetët e pakicës nuk ka patur mundësi të ushtrojë të drejtën e vet për të paraqitur amendamente sepse sipas rregullave, një amendament duhet ta regjistroj në sekretarinë e Kuvendit 24 orë para fillimit të seancës”, tha Bardhi.
Po ashtu, sipas tij, rregullorja është e paqartë dhe ka dispozita që bien ndesh me njëra-tjetrën.
“Përshembull kontrollin poslegjislativ, sipas nenit 19 e ka Komisioni i Nismave Qytetare, por po të hapësh nenin 103/3 e ka Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. Kjo ka ardhur nga pamundësi a e deputetëve për të bërë amendamente”, u shpreh ai.
PD-ja pretendon se ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit u bënë në mënyrë të njëanshme dhe u cenua parimi i ndarjes së pushteteve, dhe liria e shprehjes së deputetëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




