Siguria euroatlantike, Igli Hasani takime në Kanada për sfidat hibride dhe mbështetjen ndaj Ukrainës

Politikë | 4 muaj më parë

Kryetari i Delegacionit të Përhershëm të Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Igli Hasani, zhvilloi një vizitë zyrtare treditore në Otava, Kanada. Ky aktivitet u organizua nga Asambleja Parlamentare e NATO-s në bashkëpunim të ngushtë me Parlamentin e Kanadasë.

Gjatë kësaj vizite të ngjeshur, Hasani zhvilloi një sërë takimesh me parlamentarë kanadezë, përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore dhe ekspertë të fushës së sigurisë.

Në qendër të diskutimeve të përbashkëta ishin zhvillimet më të fundit gjeopolitike në hapësirën euroatlantike, ku vëmendje e veçantë iu kushtua vazhdimësisë së mbështetjes për Ukrainën, përballjes me sfidat hibride e kibernetike, si dhe rëndësisë gjithnjë e më strategjike që rajoni i Arktikut po merr për sigurinë globale të Aleancës.

Kjo vizitë shërbeu si një platformë e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar ndërmjet vendeve aleate dhe për koordinimin e qëndrimeve mbi prioritetet kryesore të NATO-s. Përmes këtij angazhimi, u rikonfirmua edhe një herë pozicioni i palëkundur dhe angazhimi aktiv i Shqipërisë në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit euroatlantik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme